Viti akademik filloi zyrtarisht dhe duke qenë se i kam shkëputur prej kohësh marrëdhëniet me shkollën, nuk do e dija nëse s’do më duhej të punoja në media dhe për më tepër nuk do të shoqëroja motrën për herë të parë në fakultet.
Rrugës për në punë, pasi dola nga dera e fakultetit, nisa të mendoj se duhet të shkruaj diçka për gjithë studentët e rinj që ashtu si motra ime, qëndronin të habitur në përpjekje për të “deshifruar” orarin e afishuar në hyrje të godinës, bridhnin nga njëra sallë në tjetrën, përpiqeshin të bënin miq të rinj etj.
Të premtoj që nuk do të ta lodh kokën me fjali klishe të tipit “përkushtoju shkollës, mos lë orët e mësimit, mëso rregullisht”. M’i kanë thënë mua dikur, por s’më hynë kurrë në punë.
Motra ime erdhi turivarur në shtëpi duke më thënë “Uaa, qëndrova deri në orën 12, askush nuk erdhi”. Dikur, dikush shkruante me të drejtë në Facebook-un se pedagogët ndahen në 3 kategori kryesore:
1- Ata që në rastin më të mirë vijnë 20 minuta me vonesë, kanë mbaruar masterin jashtë vendit, tregojnë histori dhe bëjnë krahasime midis shteteve, punojnë diku gjetkë prandaj në shumicën e kohës nuk i gjen në fakultet;
2- Ata që nuk e duan pensionin, por vazhdojnë të japin mësim dhe me problemet që sjell mosha, as nuk shohin e as nuk dëgjojnë mirë;
3- Ata që do t’ju frymëzojnë të lexoni më tepër, ata që “do t’jua nxijnë”, por në fund të ditës do t’ia vlejë dreqi e mori.
I përmenda tipet e tyre për një arsye të rëndësishme: Për të të thënë se është ok nëse qëndron në shtëpi dhe punon me laptop, sepse më beso që do të hasësh leksione me google translate. Për të të thënë se është gjithashtu ok nëse do të mungosh në shkollë kur të bindesh që në klasë nuk mëson asgjë më tepër se informacionet e librit.
Por nga ana tjetër, dua të të këshilloj të shkosh në orët e pedagogëve të kategorisë së tretë. Është shumë më e thjeshtë se ç’e mendon! Për shembull, nëse u regjistrove në degën që doje, “shfrytëzoji” sa më shumë të mundesh, “përdori” për të krijuar lidhjet e duhura, pyeti për çdo gjë, sepse nuk ka kurrë pyetje idiote. Nëse u regjistrove në një degë që s’të pëlqen, mos u dorëzo. Mëso ç’të mundesh mbi gjërat që do të duhen më vonë për punën e ëndrrave.
Rrethoje veten me njerëz të aftë, të gatshëm për të të sfiduar nga momenti në moment. Do të mësosh më shumë prej tyre, do të përmirësohesh dita-ditës. Mos ki siklet për t’i pyetur dhe mbi të gjitha mos mëso për notë. Askush nuk do t’ia dijë nesër për 10-at e tua, nëse s’je i aftë ta bësh punën si duhet.
Jep maksimumin nëse mundesh, për të mos u penduar më vonë. Edhe një këshillë të fundit përpara se ta mbyll: Në shumicën e rasteve, rëndësi ke ti dhe aftësitë e tua si njeri në tërësi, jo diploma.