Policia suedeze ka qëlluar për vdekje një djalë me sindromën Down që mbante në duar një armë lodër. Sipas mediave lokale, ngjarja ka ndodhur në Stokholm dhe i riu ishte i prekur edhe nga një formë autizmi.
Oficerët e policisë hapën zjarr në orët e para të mëngjesit të së enjtes mbi Eric Torell, 20 vjeç, duke thënë se ishin para një situate kërcënuese. Ai ishte raportuar i zhdukur para se të qëllohej, tha familja e tij.
Nëna e Eric, Katarina Söderberg, tha se lodra ishte një dhuratë dhe e përshkroi djalin e saj si “njeriu më i mirë në botë”. Ajo tha për mediat suedeze se Eric ishte me aftësi të kufizuara dhe nuk mund as të fliste, e vetmja gjë që thoshte ishte fjala “mama”.
Söderberg e përshkroi lodrën plastike që mbante në kohën kohen kur u vra “si një armë e vogël lodër”. “E kam të pamundur të kuptoj çfarë ka ndodhur. Ai s’do t’i bënte keq një mize”, tha ajo.
Incidenti ndodhi rreth orës 04:00 në lagjen Vasastan të kryeqytetit suedez, Stokholm, pasi policia mori një njoftim nga qytetarët për një burrë që mbante armë.
Tre policë shkuan në vendin e ngjarjes dhe iu afruan Eric para se ta urdhëronin atë të hidhte “armën e rrezikshme”. Ai u qëllua pasi sipas policisë, nuk bashkëpunoi. Eric u dërgua në spital, por ndërroi jetë më vonë pas plagëve të rënda.