“Muri i Portës”/ Monumenti 7 km nga Durrësi por i mbetur jashtë vëmendjes (VIDEO) – AlpeGossip
“Muri i Portës”/ Monumenti 7 km nga Durrësi por i mbetur jashtë vëmendjes (VIDEO)

“Muri i Portës”/ Monumenti 7 km nga Durrësi por i mbetur jashtë vëmendjes (VIDEO)

Muri i Portës është një monument 7 kilometra larg qytetit të Durrësit, por është lënë jashtë vëmendjes së turistëve.

I dalluar për monumentet e shumta, dëshmi të periudhave të ndryshme historike, Durrësi ofron edhe një tjetër monument të rëndësishëm, po të mbetur jashtë vëmendjes së vizitave turistike. Shumë pak e njohin, apo e kanë vizituar “Murin e Portës”.

Ai ndodhet rreth 7 km në veri të qytetit të Durrësit, në Porto Romano, fare pranë portit të karburanteve, dhe u ndërtua për të mbrojtur qytetin prej një sulmi të mundshëm nga veriu, duke shfrytëzuar afërsinë e detit me kënetën. Në rast se muri i Portës nuk ndërtohej, armiku mund të depërtonte më lehtësisht përmes mureve të arritshme të qytetit.

Historianët ndajnë mendime të ndryshme përsa i përket periudhës së ndërtimit të murit. Disa shprehen se ai u ndërtua gjatë periudhës së perandorit Anastas I, ndërsa historianë të tjerë e shtyjnë në kohë. Duke iu referuar teknikës së ndërtimit thonë se muri i përket periudhës së sunduar nga perandori Justinian.

Kjo zonë ofron dëshmi të fortifikimit të qytetit në dy periudha të largëta kohore nga njëra-tjetra: Murin e Portës që i përket antikitetit të vonë dhe bunkerët, qendra zjarri e mbrojtjeje të ndërtuara në shek. XX gjatë regjimit komunist që e ktheu Shqipërinë në vendin më të izoluar në botë. Thuajse paralel me traktin e murit të vjetër, gjatë sistemit komunist, ushtria ngriti dhe një tjetër sistem fortifikimi me bunkerë betoni buzë detit, duke ndërthurur kohë e teknika të ndryshme ndërtimi të përdorura për mbrojtjen e Durrësit.

Po sot, ky monument që mbrohet nga shteti ndodhet në gjendje të mjerueshme. Kushtet atmosferike, bimësia që e ka mbuluar një pjesë të tij, erozioni detar dhe veprimtaria e njeriut, përfshirë dhe mosmirëmbajtjen e tij e kanë dëmtuar rëndë Murin. Restaurimi dhe sinjalistika orientuese do ta kthente këtë monument në një nga atraksionet turistike më të vizitueshme të Durrësit, pas Amfiteatrit Antik dhe Muzeut Arkeologjik.