NË MBËSHTETJE TË UKRAINËS/ Çifti i famshëm dhuron miliona dollarë për refugjatët – AlpeGossip
NË MBËSHTETJE TË UKRAINËS/ Çifti i famshëm dhuron miliona dollarë për refugjatët

NË MBËSHTETJE TË UKRAINËS/ Çifti i famshëm dhuron miliona dollarë për refugjatët

Dy aktorët e famshëm, Mila Kunis dhe Ashton Kutcher, janë zotuar se do të bashkojnë deri në 3 milionë dollarë donacione për të ndihmuar refugjatët që largohen nga Ukraina, për shkak të pushtimeve ruse.

Çifti i njohur ka zbuluar se ka nisur një fushatë “Stand With Ukraine” GoFundMe me synimin që të mbledhin 3 milionë dollarë për Flexport.org dhe Airbnb.org. ata thanë se janë “dy organizata që janë aktive në terren duke ofruar ndihmë të menjëhershme për ata që kanë nevojë më shumë për të”.

Në videon e postuar në rrjetet sociale, Kunis tregon se ka lindur në vitin 1983 në Chernivtsi, Ukrainë, në atë kohë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Ajo shton se familja e saj u shpërngul në vitin 1991 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur ajo ishte vetëm 7 vjeçe.

Megjithëse e vlerëson shumë gjithçka që Amerika ka bërë për të dhe familjen e saj, aktorja e famshme tha se nuk mund të harronte rrënjët e saj, Ukrainën.

“Sot, unë jam një ukrainase krenare,” u shpreh ajo në një deklaratë të shpërndarë në faqen e mbledhjes së fondeve.

“Ukrainasit janë njerëz krenarë dhe të guximshëm që meritojnë ndihmën tonë në kohë të vështira. Familja jonë po fillon këtë fond për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes së menjëhershme dhe ne do të dhurojmë deri në 3 milionë dollarë”, tha Mila Kunis.