NGA BORSAT ME UJË TË NGROHTË TEK USHQIMET/ 4 gjërat që duhet të bëni nëse keni dhimbje gjatë periodave – AlpeGossip
NGA BORSAT ME UJË TË NGROHTË TEK USHQIMET/ 4 gjërat që duhet të bëni nëse keni dhimbje gjatë periodave

NGA BORSAT ME UJË TË NGROHTË TEK USHQIMET/ 4 gjërat që duhet të bëni nëse keni dhimbje gjatë periodave

Dhimbjet menstruale (të periodave), ose siç njihen ndryshe me termin mjekësor “dysmenorrhea primare”, për shumë vajza dhe gra janë një pjesë e pakëndshme e jetës. Gjatë këtyre ditëve, shqetësimet janë të shumta, si për shembull: fryrje barku, dhimbje mesi, dhimbje në fund të barkut, të përziera, të vjella, diarre. Mjekja Ilda Xhelili, ndalet në detajimin e masave të thjeshta që mund të merren gjatë përditshmërisë sa i takon lehtësimit të këtyre dhimbjeve, duke identifikuar edhe rastet në të cilat duhet të kërkoni ndihmë më të specializuar mjekësore.

Kujdes me lëngjet dhe përdorimin e kripës: Nëse kemi humbje lëngjesh gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme që të zëvendësohen ato. Prandaj mënyra më e thjeshtë është pirja e ujit, rreth 6-8 gota në ditë shpesh dhe nga pak. Kujdes duhet treguar me përdorimin e kripës. Kjo pasi kripa krijon lidhje kimike me ujin dhe rrit presionin e lëngjeve brenda qelizave të organizmit, duke e theksuar edhe më tepër ndjesinë e fryrjes gjatë kësaj periudhe. Nëse nuk ju pëlqen uji i thjeshtë, ka shumë mënyra për të rritur konsumin e ujit. Mund të filloni që në mëngjes me një gotë uji të mbushur me fruta të grira, të cilat ju pëlqejnë më shumë.

Dieta ushqimore: Shumë studime raportojnë që edhe një dietë e zgjedhur dhe e shëndetshme, luan rol të rëndësishëm për kapërcimin sa më lehtë të ditëve menstruale. Këshillohet që të konsumohen më shumë ushqime antioksidante që ulin efektet inflamatore dhe ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve. Sigurisht që një dietë e balancuar dhe e shëndetshme është e këshillueshme përgjatë gjithë vitit dhe jo vetëm për ditë të caktuara. Konkretisht rekomandohet që të konsumohen boronicat, qershitë, kungulli, domatet, produktet e peshkut që përmbajnë OMEGA 3, bishtajoret që janë një burim i mirë i proteinave me bazë bimore.

Sa më pak kafeinë aq më pak dhimbje do keni: Eliminimi i kafeinës ndihmon shumë gra në lehtësimin e dhimbjeve menstruale. Kafeina vjen në shumë forma duke përfshirë kafen, çajin, çokollatat dhe pijet energjike. Prandaj mundohuni të zvogëloni dozat e saj gjatë kësaj periudhe. Mundohuni t’i zëvendësoni ato me sa më shumë fruta dhe perime të freskëta.

Borsat me ujë të ngrohtë: Në lehtësimin e dhimbjeve ndihmojnë shumë edhe përdorimi i borsave më ujë të ngrohtë, jastëku me korent, apo edhe dushi me ujë të ngrohtë. Këto ndihmojnë muskujt që të relaksohen dhe për rrjedhojë lehtësojnë dhimbjet. Një studim i kryer tek një grup femrash midis moshës 18 dhe 30 vjeç, vuri në dukje se terapia me borsa të ngrohta ishte gati e barazvlefshme me përdorimin e ibuprofenit në qetësimin e dhimbjeve. Prandaj nëse është e mundur të eliminojmë përdorimin e medikamenteve, natyrisht që është më mirë.