NJË LETËR GJYSHIT TIM/ Mu bë baba atëherë kur kisha nevojë më së shumti – AlpeGossip
NJË LETËR GJYSHIT TIM/ Mu bë baba atëherë kur kisha nevojë më së shumti

NJË LETËR GJYSHIT TIM/ Mu bë baba atëherë kur kisha nevojë më së shumti

Kur na le, vjet ditën e Krishtlindjeve, ishte fundi i një rruge të gjatë e të dhimbshme. Që atëherë, kam menduar gjatë për kujtimet e mia të preferuara me ty.

Më kujtohet që nxirrnim për shëtitje bashkë qenin e familjes. Mbaj mend që uleshe në gjunjë dhe shihje flakët e zjarrit muzgjeve të ftohta – më the që flakët kërcenin sepse ishin të mbushura me zana të magjishme. Ti i bije kitarës dhe mollëzat e gishtave të ishin forcuar. Një herë, të bleva një dhuratë – një poezi të printuar në një pllakatë xhami, e quajtur “Shëtitje me gjyshin”. Në këmbim, më dedikove edhe ti një poezi. Besoj se të është dashur goxha kohë të gjesh fjalët e duhura, llojin e shkrimit, ta printoje dhe ta prije në masën e duhur për kornizën që bleve posaçërisht për këtë qëllim. Besoj se më ke dashur shumë.

Me kalimin e kohës Alzheimeri filloi të të pushtonte jetën. Unë isha i rritur dhe i zënë. E harrova lidhjen tonë të veçantë. Vitet e fundit të jetës sate, kalova sërish kohë me ty, patëm disa biseda të këndshme që më kujtuan gjithë ç’kisha harruar rreth teje – inteligjencën tënde, kreativitetin dhe dashurinë për gjërat e bukura.
Ditët e fundit të jetës, mendoj se më kishe harruar, ose kishe harruar që isha rritur. Dhe ngriva; ulur përkrah shtratit tënd me mamin, gjyshen dhe tezen, heshta. Isha kaq i shkëputur dhe i trembur, sa s’dija si të veproja. Tani do të doja që të isha treguar trim – që të të isha afruar dhe të të kisha thënë sa shumë të doja dhe sa i rëndësishëm ishe për mua.

Tani jam i rritur dhe e di që disa anëtarë të familjes mendojnë gjëra të ndryshme për ty. Por unë do t’i mbaj pranë vetes përgjithnjë kujtimet e bukura që krijuam bashkë. Si mbushe hapësirën e babait tim plot me dashuri për 10 vitet e para të jetës sime. Më doje aq shumë, sa s’e vura re që im atë mungonte. Tani e kuptoj që kur kërkova të lidhesha me babain tim, pritshmëritë m’u rrënuan sepse ai s’ishte si ti. Shpresoj që ta dish sa i rëndësishëm ishe për mua.”