Kur i është dhënë mundësia të flasë për fëmijët, kompozitori i njohur, Alfred Kaçinari, ka qenë gjithmonë i kursyer.
Natyrën që të gjithë nga ekrani e kemi përshkruar si rigoroz dhe të ashpër, të tillë e ka pasur edhe në shtëpi nga pikëpamja profesionale për Anën dhe Gjergjin, dy muzikantë që e trashëguan, e ndjekin dhe e kultivojnë me shumë fanatizën muzikën e vërtetë shqiptare.
Koha kur Gjergji iu prezantua për herë të parë publikut në The Voice of Albania 1 ishte një sfidë e parë jo vetëm për një 17-vjeçar, por edhe për familjen e muzikantit të njohur, megjithëse besonte te talenti i tij. Por Kaçinari ka trashëguar edhe modestinë e pashoqe të të atit, kërkesën e tij të vazhdueshme për të bërë më të mirën nga vetja. Ndaj edhe sot, krahasuar me tregun e këngëtarëve, ai thotë se këndon, por nuk është këngëtar.
Po çfarë thotë motra e tij për të? Ana Kaçinari, e ftuar për herë të parë në ekran së bashku me Gjergjin, nuk ia kursen edhe ndonjë kritikë. Të dy kanë qenë të mbikëqyrur nga muzikantë, mbaruan Liceun dhe vijuan studimet e larta po ashtu për muzikë.
Megjithatë, kanë natyra shumë të ndryshme. Këtë nuk e thotë vetëm i ati, por edhe ata vetë. Të ftuar pasditen e sotme në Pasdite në Top Channel, Ana dhe Gjergji zbuluan më shumë për raportin e tyre të ngushtë, edhe pse lëvrojnë muzikë sa të ndryshme, aq edhe udhëtare të njëra-tjetrës. Ana, që në moshë fare të vogël ka qenë më e disiplinuar, ka studiuar piano në Akademi, vazhdoi studimet pasuniversitare jashtë vendit dhe u kthye në universitetin ku studioi, si pedagoge, ndërsa Gjergji, djali haram i shtëpisë, pëlqeu shumë shpejt muzikën rock, u dashurua menjëherë me të dhe vendosi ta ndjekë e ta luajë edhe sot.
Ana kujton edhe kohën kur i jepte mësim vëllait. Me të qeshur, ajo thotë se nuk vinte shumë në leksione: “Është e çuditshme kjo pjesë”, – shton Gjergji kur kujton atë kohë kur i duhej të jepte provimin me motrën. Indiferent dhe pa rënë në sy, ai përballonte “me siklet” të madh provimin me Anën, edhe pse nuk ishte e nevojshme për të bërë shumë. Jo sepse pas atij provimi ishte motra e tij, por sepse pedagogia e njeh mirë sa i talentuar është Gjergji…
Ana ndjek pothuaj çdo koncert të tij, e kritikon kur sheh se ka vend për kritika, ashtu sikurse e uron dhe inkurajon në projekte të reja muzikore. Por është një raport i rrallë artistësh që sa dallojnë, aq edhe ngjasojnë, takohen diku e ndahen diku tjetër, por e gjejnë gjithmonë një pikë bashkimi.
Ashtu si muzika që luajnë. Ana me muzikën klasike, ndërsa Gjergji, një ‘rock boy’ që premton çdo ditë e më shumë. Bashkë kanë nisur të mendojnë edhe një koncert, diçka që do të jetë interesante jo vetëm për profilin e tyre, por edhe për publikun. Për atë që adhuron raportin vëlla e motër, sidomos kur vëllai është rebeli më rock që keni njohur, ndërsa motra, artistja e lindur që i rri gjithmonë te koka./Class/