“NUK DUA TA RRIS ME FRIKË VAJZËN TIME…”/ Turjan Hysko flet i shqetësuar për përdhunimin e 15-vjeçares dhe ja MESAZHI që jep – AlpeGossip
“NUK DUA TA RRIS ME FRIKË VAJZËN TIME…”/ Turjan Hysko flet i shqetësuar për përdhunimin e 15-vjeçares dhe ja MESAZHI që jep

“NUK DUA TA RRIS ME FRIKË VAJZËN TIME…”/ Turjan Hysko flet i shqetësuar për përdhunimin e 15-vjeçares dhe ja MESAZHI që jep

Personazheve publikë që kanë reaguar lidhur me ngjarjen e tmerrshme të përdhunimit në Shqipëri i është bashkuar së fundmi edhe Turjan Hysko, i cili shumë shpejt do të bëhet baba për herë të parë.

Ai është shprehur i shqetësuar për të bijën që do të vijë në jetë dhe ndan të gjitha ‘hallet’ e tij si prind i ri, në një shoqëri kaq të rrezikshme në të cilën jetojmë.

Statusi i plotë:

Dashtë Zoti, së shpejti do të bëhem babai i një vajze! Jam në një dilemë të madhe sesi duhet ta rrisim fëmijën tonë! T’i themi non stop, se duhet të ketë frikë nga gjithçka, nga shokët në klasë, nga ata që takon në lokal, nga ata që i shkruajnë në Instagram apo TikTok, nga shikimet e atyre në rrugë??

Mos duhet t’i mësoj bijës sime sesi të ketë kujdes me veshjen, mos të pijë shumë në një party se do abuzojnë çakenjtë, të ketë kujdes kur të shkoj në Dhërmi, të mos përballet me një mashkull se nuk i dihet, çunat janë gjaknxehtë?

Po nëse i dashuri nga xhelozia i ulëret, e godet pastaj i ulet në gjunjë duke qarë me lot krokodili, ta bind në heshtje të mbyllë gojën se i ka dashuria këto, meshkujt njësoj janë, ku do gjesh më mirë?!

A t’i them çdo ditë se duhet të mësojë 10-fish më shumë se meshkujt e klasës, se tregu i punës është diskriminues?!

Apo nëse më thotë një ditë se burri i doli një idiot i dhunshëm, pijanec, t’i them që rri urtë se je me fat mor bab, e ke një burrë, mos na fëlliq të ndahesh tani! Shif ç’bëhet vërdallë, ka dhe më keq!

Jo! Jo! Jo!

Unë s’dua ta rris me frikë vajzën time! Frika pjell frikë dhe ndërtohet një vorbull që sjell veç errësirë! Unë dua që goca ime të jetë e lirë, të ketë guxim, të bëj gabime, të rrëzohet, të ringrihet, të vuajë për dashurinë, të qajë për një mashkull që mund t’i thyej zemrën! Ama ta zgjedh vet dreqi ta hajë. Ta bëjë nga dashuria!

Por për tango duhen dy njerëz, duhet edhe djali… Unë e di që asnjë prind nuk e çon në mend që djali i vet të kthehet në një mostër që përdhunon vajza, që shantazhon fëmijë për t’i abuzuar seksualisht!

Unë e di që shumë prindër sot për hir të jetës së vështirë, kushteve ekonomike, injorancës, padijes për botën komplekse që jetojmë, etj, refuzojnë të përballen me fëmijët e tyre, për t’i kuptuar, njohur, zbutur instiktet ose edukuar me durim, duke e zgjedhur heshtjen ose dhunën! Pasojat janë këto që po jetojmë…

Kur ti rrit një djalë të mirë, nuk i shërben vetëm vetes, i shërben shoqërisë, e bën botën një vend më të butë, më njerëzor! Hallet nuk mbarojnë prindër të dashur, por në një moment mendo, kur të ikësh nga kjo botë do të mbahesh mend si:

A) Prindi i një pedofili, përdhunues fëmijësh?

B) Prindi i një djali që ju ul në gjunjë asaj vajze që vërtet donte, i tha të dua dhe e trajtoi gjithë jetën si gjysmën e tij më të mirë?

P.s Dhe mos harroni, nuk ka krijesa më magjike se vajzat dhe gratë!