Policia amerikane në Nju Meksiko ka shpëtuar 11 fëmijë që mbaheshin të mbyllur dhe të kequshqyer në një kompleks të largët në shkretëtirë. Autoritetet amerikane thanë se fëmijët e shpëtuar janë të moshës nga 1 deri në 15 vjeç. Ata nuk kishin këpucë, ishin të veshur me rroba të grisura dhe “dukeshin si refugjatë të Luftës së Tretë Botërore”.
Në vendin ku mbaheshin të miturit, u gjetën 5 persona të rritur, nga të cilët dy burra të armatosur rëndë. Ata u arrestuan. Ndërsa tre gratë, që besohet të jenë nënat e fëmijëve, fillimisht u ndaluan por më vonë u lanë të lira. Policia kontrolloi vendin pasi kishte marrë një mesazh ku shkruhej: “Jemi të uritur, kemi nevojë për ushqime dhe ujë”.
Nuk është ende e qartë se si fëmijët kishin përfunduar në atë kompleks të largët. 11 fëmijët tashmë janë marrë nën kujdes nga shërbimet sociale lokale.