Artisti i mirënjohur, Agron Llakaj, ishte mbrëmjen e djeshme i ftuar në emisionin “Ëndërrtjerrësit” në Top Channel, ku foli për fillimet e programit të humorit, “Portokalli”.
Sipas Llakajt, “Portokallia” u kthye në epidemi brenda pak javësh dhe u bë spektakli më i dashur i të gjithë shqiptarëve.
Aktori i dashur për publikun shqiptar u shpreh se biletat shiteshin dy muaj para, pasi të gjithë donin të shikonin live aktorët. Agroni tregoi momentin kur themeluesi i Top Media-s, Dritan Hoxha, i kishte thënë për idenë e krijimit të një show kabaret.
“Në janar të vitit 2003, Dritani më ka takuar në Sarandë, kam qenë në një nga netët e ndërrimit të viteve. Më tha se ka një ide. Ideja ishte për të bërë një show kabaret. Ideja ishte tamam një lloj çmendurie se për ne ishte e panjohur. Unë vija nga bota e kabaretit, por kjo ide siç e kishte Tani nuk imagjinohej. Nisi me një program testues në Top Show si fillim“, tha Llakaj.
Ky i fundit gjithashtu rrëfeu se nga çfarë e mori emrin Portokallia, një emër unik që shpesh ka ngatërruar personat nëse ishte frymëzuar nga agrumi portokalle apo ngjyra.
“Emri erdhi nga ngjyra portokalli e semaforit, edhe shprehja kemi ngel në semafor, në bazë të gjendjes së Shqipërisë. Ndërtuam tavolinën e përbashkët, ishte një frymë e tillë, që u kthye në epidemi, nuk kishte më mundësi të menaxhoheshin biletat, 10 mijë lek çmimi në atë kohë, ajo sallë merrte 120 veta, i thosha që ul çmimin e biletës”, u shpreh aktori.