PROMOVIMI I LIBRIT/ Ja si e shkatërruan 17 spiunë jetën e Martirit të Kishës Dom Kurti – AlpeGossip
PROMOVIMI I LIBRIT/ Ja si e shkatërruan 17 spiunë jetën e Martirit të Kishës Dom Kurti

PROMOVIMI I LIBRIT/ Ja si e shkatërruan 17 spiunë jetën e Martirit të Kishës Dom Kurti

Zbulohen pseudonimet në librin “I lumi Dom Shtjefën Kurti-Dëshmitar i Kishës Martire” si: “Adresa”, “Shigjeta”, “Shëndeti”, “Drita”, “Partizani”, “Patogu”, “Mati”, “Guri”, “Guximtari”, “Vermoshi”, “Misri i kuq”, “Kthesa”, “Speca”, “Tomorri”

“I lumi Dom Shtjefën Kurti-Dëshmitar i Kishës Martire”, vëllimi i parë me autorë Nikollë Loka & Nikolin Kurti, do të promovohet sot në orën 11.00, në sallën “Rrok Mirdita” të Katedrales Metropolitane “Shën Pali”. I shoqëruar me një parathënie të Monsinjor George Frendo-s, Kryetari të Konferencës Arqipeshkvnore të Shqipërisë, libri vjen në dritë si një botim special i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

“Në këtë libër Shtjefni paraqitet si luftëtar i madh i lirisë fetare dhe politike dhe i ndryshimeve politike pa dhunë.”
Për vite me radhë, familja e tij nuk pati më asnjë lajm, derisa njëra prej motrave, e mbetur në Kosovë, arriti të merrte vesh se ai ishte ende gjallë nëpërmjet një Ipeshkëvi, i cili e kishte lexuar në një gazetë. Në fakt, pak më vonë, e motra në Shkup mori një letër nga Don Shtjefëni, të postuar nga Burreli, ku i kërkonte vitamina dhe ilaçe.

Edhe në burgun e Burrelit, organet e Sigurimit të Shtetit e kishin në shënjestër. Shpesh e izolonin në birucat e akullta të burgut, ku kalonte netë të tëra, sepse në burg kryente vepra të mira, duke thënë meshë. Dr. Lazer Radi kujton: “… Një herë, natën e Krishtlindjeve, me dritë të errësuar si zakonisht Don Shtjefni tha meshën në mesnatë. Mbas meshe, me ndezjen e dritave shohim dyshemenë e lagur nga lotët e tij…”. Edhe Mark Shantoja sjell të dhëna me interes: “Në takim me një murgeshë që i erdhi atje i kërkon: Më dërgo at barin me emrin “Vinum Missa” E përsërite dhe njëherë pasi ajo nuk kujtohet se ky lyp venë, për të çue meshë. Atëherë ja sjellin me një shishe aranxhate me etiketë gjoja si medikament.

Për arsye të një amnistie, me 2 maj 1963. Shtjefën Kurti lirohet nga burgu i Burrelit, pasi kishte bërë 16 vjet, 6 muaj e 2 ditë burg. Po atë ditë në Shkup u bë festë e madhe, pasi në adresë të së motrës kishte arritur një telegram vetëm me dy fjalë, me firmën e Don Shtjefnit: “Jam i lirë”. Pas 17 viteve privim lirie, një ditë të ftohtë nëntori të vitit 1963, largohet nga qelitë e burgut, për t’u ndjerë përkohësisht i lirë. Bëri jetë private, fillimisht te i vëllai Kel Kurti në Gurëz. Sipas bashkëpunëtorit me pseudonimin “Adresa”, ishte detyruar të largohet nga familja e vëllait, sepse ai fliste kundër pushtetit dhe shprehjet e tij e dëmtonin shumë priftin.

Pas largimit nga i vëllai është strehuar te zyrat e kooperativës, pastaj për një vit e më shumë te shtëpia e Tomë Nokë Lekës dhe kohët e fundit në shtëpinë e Shkurt Markut pako me veshje gjatë periudhës që ishte në burg dhe po vazhdonte ta ndihmonte. Ishte i sëmurë nga stomaku, po kërkonte t’i shkruante të motrës që t’ia dërgonte ilaçet prej andej”.

Për Kurtin kishin dhënë informata dhe bashkëpunëtorët “Shigjeta”, “Shëndeti” dhe “Drita” dhe pas shqyrtimit të informacioneve të mbledhura ishte arritur në përfundimin se kleriku në fjalë po zhvillonte agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe prandaj Puntori Operativ Qemal Karamani kishte vendosur ta merrte në përpunim A2. U shtua dhe numri i bashkëpunëtorëve që do ta survejonin, provokonin dhe do të përcillnin përgjigjet e Kurtit tek organet e Sigurimit të Shtetit. Krahas atyre që kemi përmendur përmenden edhe “Partizani”, Patogu”, “Drita”, “Mati”, “Guri”, “Guximtari”, “Vermoshi”, “Misri i kuq”, “Kthesa”, “Speca”, “Tomorri”, të cilët e përcollën në çdo hap, në përpjekje për ti gjetur ndonjë kleçkë për të formuluar akuzë politike dhe meqenëse dështuan, akuza e dytë ishte qesharake, duke e akuzuar klerikun me akuza ordinere.

…Fshatarët e Gurëzit shihnin te don Shtjefni njeriun e drejtë, njeriun e Zotit, që u falte besim dhe dashuri, u ngrohte zemrat me fjalë dhe i orientonte drejt së vërtetës. Kur në vitin 1967, për shkak të “Revolucionit Kulturor” shqiptar, kishat u mbyllën e si pasojë nuk mund të ushtrohej kulti, Don Shtjefnit iu desh të gjente punë si punëtor në kooperativën e Gurzit. Por ndërkohë vazhdonte apostullimin e tij në ditët e pushimeve, ose sapo t’i jepej mundësia, udhëtonte për të administruar sakramentet dhe për të ngushëlluar njerëzit e çorientuar.

Megjithëse në moshë të thyer,70 vjeç, qe një shembull i shkëlqyer në punë dhe në jetë. Njerëzit i besonin dhe shihnin tek ai njeriun e shpresës. Dhe ai,si engjëll i vërtetë reflektonte dashuri për të gjithë, por edhe urrejtje për sistemin totalitar që po u imponohej gjithnjë e më tepër shqiptarëve.
Prokurori Llambi Gegeni, me 11 qershor 1970, me argumentin se qënja e tij e lirë mund të sjellë shmangien para organeve të hetuesisë dhe gjyqit, kishte lëshuar fletë-arrestin për Don Shtjefën Kurtin.

Me 11 qershor të vitit 1970, kur ai punonte në mes të vapës në orat e kooperativës arrestohet në prani të shumë fshatarëve dhe dërgohet në qelitë e ftohta të burgut të Krujës, ku pas kontrollit personal, i janë gjetur këto sende: Portofol meshini i thjeshtë, letërnjoftimi personal, 80, 20 (tetëdhjetë lekë e njëzet qindarka), një palë tespije me kryq, një shami duarsh, një rryp pantalloni meshini, një dëftesë poste për një letër të dërguar në Jugosllavi. Po atë ditë, hetuesi merr një vendim për zhvillimin e kontrollit në banesë, pasi sipas tij nga materialet që disponon Hetuesia, dyshohet se në banesën e Shtjefën Kurtit, të ketë materiale të fshehura, që kanë përmbajtje kundërrevolucionare. Me qëllim që të shtinte në dorë ato materiale që kishin vlerën e provës për fajësinë e Shtjefën Kurtit, konformë nenit 171 të Kodit të Procedurës Penale ishte bërë kontrolli i banesës.

Në procesverbalin e mbajtur gjatë kontrollit të banesës që ishte bërë po atë ditë, me 11 qershor 1970, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me pjesëmarrjen e antares së Këshillit Popullor të katundit shoqe….(nuk e ka emrin të shënuar) janë shënuar sendet personale të priftit të arrestuar. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u morën sendet e poshtëshënuara:
Lekë 1300 (njëmijë e treqind).
Një autorizim i Lekë Nojës për 1000 lekë.
Disa letra dhe dokumente të ndryshme.
Dy blloqe shënimesh, njëri kalendar i vitit 1970.
Gjatë kontrollit të banesës nuk pati ndonjë ankesë nga ana e të arrestuarit.
Procesverbali mbasi u lejua nënshkrimi nga të pranishmit, u firmos: Hetuesi, I arrestuari Asistuesi, Anëtarja e Këshillit.