PSE ÇIFTET VIP VISHEN NJËSOJ? Sociologia Eris Dhamo: Fama, paraja dhe konkurrenca mes tyre – AlpeGossip
PSE ÇIFTET VIP VISHEN NJËSOJ? Sociologia Eris Dhamo: Fama, paraja dhe konkurrenca mes tyre

PSE ÇIFTET VIP VISHEN NJËSOJ? Sociologia Eris Dhamo: Fama, paraja dhe konkurrenca mes tyre

Është kthyer në modë që çiftet e famshëm të shfaqen në publik të veshur pothuajse identik ose të kombinuar në ngjyra dhe stil me njëri-tjetrin.

Për hir jo vetëm të tendencave më të fundit, çifte të ndryshme zgjedhin që të vishen njësoj edhe për arsye të tjera social-psikologjike.  Këtë vënë në dukje dhe studimet e fundit që kur Kim Kardashian dhe Kanye West e kthyen në qëllim kombinimin e veshjeve mes tyre. Ata përpiqeshin t’ia bërtisnin publikut sesa të dashuruar ishin edhe përmes veshjes. Arsyeja sipas psikoterapistit dhe sociologut të seksit, Jordan Dixon ishte fama dhe paraja që buronte prej saj.

Pse çiftet VIP vishen njësoj? Sociologia Eris Dhamo: Fama, paraja

Edhe pse Kim dhe Kany nuk janë më bashkë, ata lanë pas një “trashëgimi” për çiftet e famshme që do të pasonin faqet e para të tabloideve dhe ekraneve të TV, kudo në botë.

Edhe në Shqipëri ky fenomen është shumë i përhapur sidomos mes çifteve të showbizit. Dr. Eris Dhamo, sociologe dhe poedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës rreshton disa arsye:

Ka një mori justifikimesh pse mund të ndodhë kjo dhe elementi i parë, i cili natyrshëm të vjen të justifikosh këtë veprim është se vetë është fama. Çiftet e njohura janë të pritura që me sjelljet dhe veprimet e tyre publike të përmbushin pritshmëritë e publikut dhe të shumta janë rastet që ose për të garantuar famën ose për ta ruajtur atë çiftet angazhohen në veprime spektakolare ose kontroversiale si një mjet i efektshëm për të tërhequr vëmendjen dhe mbajtur mbi veten interesin e publikut dhe të ndjekësve të tyre. Në ditët e sotme kur klikimet marrin vlera të konsiderueshme financiare, të diskutuarit për këto çifte është mjet për rritjen e pasurisë dhe të suksesit, duke i dhënë dhe në këtë mënyrë (veshje) shanse të suksesshme në karrierë.”- thotë Dr. Dhamo.

Por për disa çifte, veshja e përbashkët mund të jetë një mënyrë e demonstrimit se ata punojnë së bashku, janë të përshtatshëm dhe kanë një ndërveprim të mirë në jetën e përditshme. Në disa raste të tjera të veshurit njësoj tërheq më shumë vëmendje, sidomos në eventet e rëndësishme dhe ata e përdorin këtë stil si ‘masë’ për të shkëlqyer në këto ngjarje dhe për të rënë në sy.

Po kjo është e vërtetë, -thotë sociologia- nëpërmjet veshjes ata përpiqen të evidentojnë individualitetin si çift, duke ju treguar me veshje ndjekësve se sa të unifikuar janë; si dhe duke u prezantuar ndryshe nga sa pritet vëmendja e mediave dhe publikut që i çon drejt famës është e garantuar. Në ditët e sotme kur konsumizmi dhe mediatizimi ka rritur presionin nga “të famshmeve” ata janë në një mënyrë të detyruar të angazhohen në veprime të tilla publike. Nevoja për të demonstruar një lidhje të thellë emocionale mund të jetë një arsye tjetër e veshjes së koordinuar, sidomos kur çiftet ndjejnë nevojën të tregojnë një nivel të lartë të ndjenjave të përkushtimit, bashkëpunimit dhe harmonisë që ekziston ndërmjet tyre.

Po pse çiftet VIP, e ndjejnë si nevojë, si detyrim ta bëjnë këtë gjë. Ka disa arsye sociale dhe psikologjike sipas, Dr. Eris Dhamos.

Arsyeja kryesore është presioni social dhe sa më shumë të kërkohet fama aq më tepër ajo shoqërohet me presionin social dhe pritshmëritë e ndërtuara të ndjekësve dhe të publikut. Individët që janë të famshëm mund të ndjehen të detyruar të përmbushin kërkesat e publikut dhe të sigurojnë vazhdimisht vëmendje dhe pëlqim.

Në disa raste arsye mund të jetë kërkesa për vëmendje dhe pëlqim, dhe çiftet kërkojnë jo vetëm të jenë të pranuar por dhe të zotërojnë sa më gjatë vëmendjen e të tjerëve. Fama në vetvete është një platformë ku çiftet demonstrojnë aftësitë për të arritur këto standarde dhe për të vërtetuar dhe arritjet dhe vlerësimin.

Eksplorimi i identitetit dhe i kufijve individual dhe në çift është një arsye tjetër. Është njerëzore të eksplorohet identiteti me të gjithë për shfaqjet e tij dhe të sfidohen kufijtë e zakonshëm. Në këtë mënyrë, ata mund të ndihen të lirë të shprehin veten dhe të ndërtojnë një imazh publik që mund të shkojë përtej parashikimeve të zakonshme.”

Megjithatë arsyeja ndoshta më e gjithë pranuar në rritjen e numrit të çifteve që vishen njësoj është dhe konkurrenca dhe rivaliteti. Dhe në botën e madhe të famës ku duket se ka hapësirë dhe vend për të gjithë për ta fituar këtë status kjo garë bëhet edhe më e egër.

Jemi në botën e famës, ku konkurrenca dhe rivaliteti janë të pranishëm, ku individët mund të ndjehen të shtyrë që të marrin veprime të paparashikuara ose shokuese si përpjekje për të fituar avantazh ndaj konkurrentëve të tyre (të famshëm). Ambicia për të qenë më i famshëm, më i suksesshëm dhe më i diskutuar mund të çojë në veprime të tilla që tërheqin vëmendjen dhe që ndikojnë imagjinatën publike”, thotë Dr. Eris Dhamo./ TCH