Jam 30 vjeç, mami i një goce dy vjeçe dhe e frikësuar për vdekje si do jetë jeta ime vitin tjetër në prag të një procesi divorci.
Mami im ka projektuar tek unë fëmijën perfekt, më të edukuarën, më të rregulltën, nxënësen e studentet perfekte, gjimnazisten që pasditet i kalon në shtëpi duke mësuar dhe jo rrugëve me shoqërinë si adoleshentët e zakonshëm (përveç rasteve kur e kam bërë fshehurazi, nuk kam dalë kurrë për kafe me shoqërinë në adoleshencë). Unë nuk mund të gaboja kurrë se ndryshe më bëhej një super gjyq dhe krahasohesha me gjithë fëmijët e planetit që “s’kishin as gjysmën e kushteve të mia,” por ishin më të mirë se unë.
Kur isha 19 vjeçe, në lidhjen time të parë, u vura mes zgjedhjes: fejesë ose ndarje sepse prindërit e mi smund ta perceptonin që fëmija i tyre perfekt të kishte një lidhje jo zyrtare e të shihej rrugëve me një djalë të panjohur nga familja. Edhe kuptohet, zgjodha fejesën meqë me mendjen time prej adoleshenteje e doja atë njeri. Fillova bashkëjetesën një muaj pas fejese dhe pas më pak se një vit lidhjeje, duke u bërë kështu studentja që duhet të mësonte e të ishte ekselente, që duhet të punonte për shpenzimet e veta dhe që duhet të mbante dhe shtëpinë se kish gjetur një “burrë” për të mbajtur! Pa gjetur asnjëherë askush kohën të më pyeste a ndihesha mirë me këtë jetë? A isha lodhur?
Pastaj, pasi mbarova shkollën (me diplomë të mbrojtur dhjetë dhe me asnjë provim të ngelur në vjeshtë në pesë vite shkollë sepse një studente perfekte s’mund të ngelë në vjeshtë), filloi presioni se kur do të bëhesha nënë. Kisha kaq vite bashkëjetesë, shoqet e mia kishin nga dy fëmijë. Dhe ngela shtatzënë. E pranoj, kisha frikë, pasiguri, një mijë pyetje, por për fat, çdo gjë shkoi mirë… deri sa linda.
Çerek ore pasi dola nga salla e operacionit, dëgjoj: “Gjynah, e bëri me operacion.” Kur pas 12 orësh me dhimbje lindjeje dhe pas çdo konsulte të mjekes lindja natyrale bëhet gjithmonë e më e vështirë. Më pas isha një nënë e keqe sepse s’kisha vullnet mjaftueshëm ta mësoja gocën të pinte gji, edhe pse provova çdo metodë. Isha nënë e keqe se s’e vishja me shtatë palë bluza, katër palë çorape dhe dy xhupa në dimër, sepse e ndërroja shpesh dhe e përdorja si “kukull,” sepse e çova në çerdhe që dhjetë muajshe sepse doja t’i rikthehesha punës, sepse pas një viti leje lindjeje, guxova t’i kërkoja të atit të gocës ta mbante një orë që të pija një kafe vetëm me veten.
Askush, asnjëherë, nuk pyeti nëse ndihesha mirë, nëse kisha nevojë për ndihmë. Për të gjithë thjesht po bëja detyrën dhe se një grua që bëhet nënë, e mbyll jetën aty e s’ka të drejtë më për asgjë (të drejta që s’i ke pasur as më parë.) Dhe një ditë, rastësisht, njoha dikë me të cilin gjeta kurajon të flisja hapur dhe për habinë time s’më gjykoi. Më inkurajoi të merrja në dorë frerët e jetës sime dhe po, tradhtova babain e fëmijës sim, “burrin e ëndrrave,” “dhëndrin perfekt” dhe për herë të parë në jetë, bëra diçka jashtë perfektes. Dhe pata guximin ta pranoj, e bërtita që s’isha e lumtur në një martesë në të cilën rrija për hir të familjes, në të cilën isha në hije dhe s’kisha ndjekur asnjë ëndërr time vetëm sepse ai kishte ëndrrat e veta për të realizuar.
Mora guximin t’i them sime mëje, dhe pse me dhimbje, që s’do e ndiqja kurrë shembullin e saj në rritjen e vajzës sime, që do i tregoj se njeriu nga gabimet mëson, që eksperiencat të rrisin, që duhet të jetojë për veten dhe jo për kushërinjtë, komshinjtë e fisin.
Sot jam vetëm, s’kam asnjë mbështetje dhe jam e frikësuar si do ia dal me një fëmijë dy vjeç, në shtëpi me qira dhe me një punë në call center dhe me një bashkëshort që kërkon kujdestarinë e saj sepse sipas tij, ai e meriton më shumë se unë, meqë unë e tradhtova. Ama, për herë të parë në jetë, ky vit më ka çliruar dhe më ka bërë të jem vetja. Isha e lodhur nga reklamimi i perfektes, me buzëqeshje të stampuara.
Ndoshta gjeta mënyrën e gabuar për t’u rebeluar, po kjo shoqëri të çon në ekstreme duke të paragjykuar gjithë kohës e prapë të paragjykon edhe kur arrin kulmin e gjithsesi s’më intereson më. Jam 30 vjeçe dhe nesër nuk dua t’i them gocës “ndenja me tët atë prej teje dhe për hir të shoqërisë.” Nuk dua ta bëj të ndihet fajtore, nuk dua t’i jap shembullin e nënshtrimit. Është shumë e vështirë, po 2020-a do jetë fillimi i dekadës sime të parë si vetvetja. Nuk është kurrë vonë.
Dërguar në faqen në Instagram të Anabel. Emri është ndryshuar për të ruajtur privatësinë.
/Marrë nga Anabel.al