SË SHPEJTI/ Skandali seksual i Weinsteinit po projektohet në një film horror – AlpeGossip
SË SHPEJTI/ Skandali seksual i Weinsteinit po projektohet në një film horror

SË SHPEJTI/ Skandali seksual i Weinsteinit po projektohet në një film horror

Skandali i ngacmimeve seksuale me në qendër ish-regjisorin e “Hollywood”-it, Harvey Weinstein, së shpejti mund të vijë në ekranet e kinemave në formën e një filmi horror, pasqyruar ky nga një tjetër regjisor si Brian De Palma.

De Palma, i cili njihet për filmin horror “Carrie” dhe atë kriminal “Scarface” mes viteve ’70-’80, është duke e ndjekur me shumë imtësi historinë e Weinsteinit, siç konfirmon për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Weinstein është ngarkuar me akuza të rënda, mes të cilave edhe për përdhunim, pasi u vetëdorëzua në policinë e Nju Jorkut gjatë javës së kaluar. Avokati i tij është shprehur se ai nuk pranon asnjë prej akuzave që rëndojnë mbi të.

“Di që shumë njerëz janë përfshirë në këtë skandal – tha 77-vjeçari De Palma gjatë një interviste me “AFP”-në në Paris. – Kam dëgjuar thuajse të gjitha historitë ndër vite”.

Ai shtoi më tej se regjisorët duhet të “sigurojnë besimin dhe dashurinë e aktorëve” dhe se “nëse shkelin njërën prej këtyre, në çfarëdo niveli, kjo është gjëja më e keqe që mund të bëjnë ata. Pavarësisht epsheve personale”.

“Hollywood”-i është tronditur nga akuzat kundër Weinsteinit prej thuajse një viti, teksa një numër i lartë femrash dhe aktoresh kanë dalë me zë e figurë duke pretenduar të jenë ngacmuar seksualisht apo edhe përdhunuar nga manjati i kinematografisë amerikane.

Javën e kaluar, Weinstein u arrestua nën akuzat për përdhunim, veprime kriminale me natyrë seksuale, abuzim seksual dhe sjellje të pahijshme seksuale. Akuzat lidhen me pretendimet që kanë ngritur vetëm dy prej grave denoncuese: njëra e identifikuar prej avokatit të saj si ish-aktorja Lucia Evans, ndërsa tjetra ende e paidentifikuar.

Këto janë të parat akuza penale të ngritura ndaj Weinsteinit, i cili mohon në çdo rast të ketë kryer marrëdhënie seksuale pa konsensusin e palës tjetër dhe me të gjitha gjasat do të deklarohet jofajtor në seancën gjyqësore.