SIPAS PSIKOLOGËVE: Pse programet “reality” tërheqin kaq shumë vëmendjen e njerëzve – AlpeGossip
SIPAS PSIKOLOGËVE: Pse programet “reality” tërheqin kaq shumë vëmendjen e njerëzve

SIPAS PSIKOLOGËVE: Pse programet “reality” tërheqin kaq shumë vëmendjen e njerëzve

Kur zhanri i “reality” ose “reality show” shpërtheu në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, njerëzit duket se u mahnitën që prej fillimit.

Është e kuptueshme çfarë i bënte tërheqëse atëherë këto programe: Së pari, risia.

Në mënyrë të ngjashme me një ndeshje sporti, si shikues, ju duhet të zgjidhni skuadrën tuaj të preferuar dhe të kënaqeni kur ata fitojnë, të komentoni ndeshjen etj.

Ndërkohë, në ditët e sotme, një reality nuk është diçka e jashtëzakonshme. Duke filluar që nga programe amerikane si “The Real Housewives of Wherever”, “Rich Kids of Beverly Hills”, “Keeping Up With The Kardashians”, “Too Hot To Handle”, “Love Is Blind” apo “The Bachelor” e deri te ato shqiptare si “Për’puthen”, një program i ngjashëm në ide me “Uomini e Donne”, “Love Story”, një reality i ngjashëm me “The Bachelor”, apo edhe “Big Brother Albania”, që është sjellë për herë të parë si format në Holandë, 2 dekada më parë.

Jo pak herë, na duket sikur shohim thjesht një kamerë që ndjek disa njerëz, teksa ata drekojnë, bisedojnë, kanë zënka etj dhe madje shpesh, disa pjesë na duken të stisura dhe jo “reality”, por atëherë, çfarë na bën të vazhdojmë t’i ndjekim përsëri?

Sipas Psychology Today, “magepsja” në rritje me programet “reality” buron nga dëshira jonë për të fantazuar rreth perspektivës së famës së fituar lehtësisht.

Ne shohim njerëz të zakonshëm, që bëjnë gjëra njerëzish të zakonshëm dhe mendojmë se edhe ne jemi kështu, pra dhe ne mund të jemi të famshëm.

Është e rëndësishme të theksohet, megjithatë, se ky shkrim i Psychology Today u postua në vitin 2002, gjatë asaj kohe programet e këtij zhanri bënin përzgjedhje me konkurs.

Dhe në fakt, për programet në Shqipëri, përsëri thuhet se kështu funksionon, pra, bëhen aplikime dhe përzgjidhen ata që duken si më të përshtatshëm për formatin.

Sidoqoftë, disa nga pjesëmarrësit e këtyre programeve, janë shprehur se i ka ftuar produksioni për intervistë dhe jo se ata kanë aplikuar, gjë e bën arsyetimin e mësipërm jo plotësisht të vërtetë.

Megjithatë, lidhur me këtë, Leon Festinger, psikolog social, ka një teori të “krahasimit social”. Ai shprehet:

“Ne i shohim sepse na bëjnë të ndihemi më mirë për veten tonë. Shohim drama të panevojshme, ndonjëherë intriga të çuditshme apo situata të stisura dhe jemi falenderues që nuk rrethohemi nga këto situata, ose në të kundërt e gjejmë veten te “dramat” e tyre dhe ngushëllohemi sadopak.

Në një aspekt jo dhe aq pozitiv të teorisë së krahasimit social, ne shohim se si keqkuptimet apo problemet e këtyre njerëzve zgjidhen brenda 30 minutash ose në rastin më të keq, për 2 episode. Në jetën e vërtetë, nuk ndodh gjithmonë kështu dhe në këtë rast, mund të ndihemi më keq.

Programet “reality” kanë dominuar ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme në ekranet tona dhe sepse ne jemi kaq të ekspozuar ndaj këtyre personazheve, ata bëhen, në një farë mënyre, miqtë tanë, jo në kuptimin tradicional. Ne thjesht “mësohemi me ta”.

Një tjetër faktor që mund t’i bëjë shikuesit t’i ndjejnë kaq të afërt këta personazhe është koncepti i miqësisë, që ka ndryshuar dhe ka pësuar zhvendosje ndër vite.

Tani, ti mund të shohësh çdo gjë që po ndodh me miken tënde të fëmijërisë përmes Instagram dhe Facebook, pa i shkruajtur aspak asaj dhe pa qenë nevoja të pyesësh. Në të njëjtën mënyrë, njerëzit “miqësohen” edhe me pjesëmarrësit e programeve reality.

Së fundmi, arsyeja më e dukshme, sigurisht, është edhe vetë qëllimi kryesor i një reality-show: Argëtimi. Dhe në fund të fundit, kujt nuk i pëlqen të argëtohet?