Skenaristi i “Kapedanit” tregon prapaskenat e filmit – AlpeGossip
Skenaristi i “Kapedanit” tregon prapaskenat e filmit

Skenaristi i “Kapedanit” tregon prapaskenat e filmit

Filmi “Kapedani” ishte një nga evenimentet artistike të vitit 1972 që u cilësua si kulmi i kinemasë tonë.

Për këtë film është rrëfyer në ‘Klan’ skenaristi Skënder Plasari . I pyetur për skenarin e filmit “Kapedani”, Plasari tregoi se ishte aktori i madh Mihal Popi ai që e shtyu të shkruante tekstin.

“Unë në fakt kam mbaruar për fizkulturë, nuk isha shkrimtar, por më pëlqente shumë humori dhe isha aktor në estradë. U krijuan kushtet që të filloja të shkruaja në estradë, shkruajta shumë skeçe, monologje e dialogje dhe në këto kohë në estradë luante edhe Mihal Popi, aktor i madh shqiptar. Një herë më thotë përse nuk bën një skenar. Unë i thash: Mihal ti ke luajtur skenarë të mëdhenj, unë do të bëj skenarë për ty?

Ai m’u kthye duke më thënë: E bën ti e bën.

Pas kësaj bisede më pyeste çdo ditë nëse kisha filluar skenarin dhe më vuri në një përgjegjësi që s’ia prishja dot. Në atë kohë m’u kujtua një tip që e kisha parë në Dardhë të Korçës ku ne shkonim dhe bënim ski. Ishte një plak xha Nasho i thonin. Ky ishte një tip që ndër të tjera kishte alergji nga femrat, nuk i duronte dot. Ky tip mua më pëlqente. Në atë kohë ziente kjo tema e emancipimit të gruas. Më kujtohet që një herë ky xha Nasho erdhi në Tiranë dhe erdhi tek shkolla e fizkulturës. Kur e takuam ne e pyetëm: Xha Nasho ç’ke ardhur këtu?

Ai u përgjigj: Kam ardhur të ankohem tek kryeministri i bagëtive. Në atë kohë ai ishte zënë me një brigadiere. Ndërkohë që ne flisnim me Xha Nashon vijnë vajzat e klasës të cilat ishin të veshura me geta. Kur i pa ai tha: Ç’është kjo, si dalin këto me breçka? E di qeveria këtë që dalin kështu?” tha Plasari.

Skenaristi po ashtu tregoi se propozoi në rolet kryesore vjehrrin e tij dhe Mihal Popin, i cili edhe ishte tërhequr për shkak se roli kërkonte më shumë energji.

“Pasi shkrova skenarin të parit ia dhashë Mihal Popit i cili e pëlqeu shumë. E çova në Kinostudio dhe u aprovua. Shumë detaje që në film i janë vënë personazhit kryesor ishin nga humori i vjehrrit tim, i cili ishte qenë aktor humori në Greqi. Unë sugjerova që rolin kryesor ta luaj vjehrri im dhe rolin tjetër ta luante Mihali. U bënë kinoprovat në “Kinostudio dhe ne shkuam për t’i parë. Pas provave Mihali më përgëzoi dhe më tha se do të tërhiqej sepse nuk e bënte dot, duhej dikush më i ri dhe me më shumë energji. Dhe ai rol i bërë për Mihalin i mbeti Nikolin Xhojës. Filmi në atë kohë u prit shumë mirë, por dikush më tha: Bëhu gati se do hash një “dru” nga shtypi sepse janë ngritur veteranët dhe thonë ke tallur brezin e luftës dhe veteranët.

Për rreth 2-3 muaj kam qenë i tmerruar, por kur e takoj sërish këtë person më thotë që ishte anuluar sepse qeveria e kishte pëlqyer shumë filmin”, tregoi skenaristi i filmit “Kapedani”.