Ura e Golikut pret ndërhyrjen/ Përveçse Monument Kulture ajo lidh katër fshatra – AlpeGossip
Ura e Golikut pret ndërhyrjen/ Përveçse Monument Kulture ajo lidh katër fshatra

Ura e Golikut pret ndërhyrjen/ Përveçse Monument Kulture ajo lidh katër fshatra

Ura e Golikut në Pogradec, Monument Kulture i kategorisë së parë, por që ka pësuar dëmtime të mëdha ndër vite, është në pritje të rikonstruksionit. Nyje lidhëse për banorët e katër fshatrave, ajo bëhet e rrezikshme në dimër, ndaj edhe banorët apelojnë që ndërhyrja të jetë e shpejtë për të shpëtuar objektin me vlera të rralla.

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve miratoi në korrik projektin e ndërhyrjes, por puna në urën e Golikut në Pogradec nuk ka nisur ende.

E ndërtuar në shekullin e XVII, e gjatë 17 metra, e gjerë 3 metra dhe 10 metër e lartë, ura ka pësuar dëmtime në bazament dhe dy këmbë të saj.

Por veç vlerave si Monument Kulture, ura e Golikut është vetme nyje lidhëse e 4 fshatrave me 600 banorë të zonës së Mokrës, që kalojnë aty çdo ditë.

Ata thonë se janë prej vitesh në pritje të ndërhyrjes që do të shpëtojë urën por edhe ata nga rreziqet që u vijnë prej dëmtimit të saj.

Banori: Ura e Golikut është një urë e vjetër shekullore prej 3-4 shekujsh, kërkojmë ndihmë nga shteti për të investuar, për ta riparuar pasi është shumë e rrezikshme gjatë periudhës së dimrit.

Situata bëhet më e rrezikshme gjatë muajve të dimrit që në këto anë është i ashpër.

Fëmijët që lëvizin mbi të çdo ditë janë edhe më të rrezikuarit.

Ura e Golikut në lumin Shkumbin, pjesë e rrugës Egnatia, mbetet një atraksion turistik sidomos për të apasionuarit pas trashëgimisë kulturore, ndaj pritet ndërhyrja për të shmangur rrezikun e dëmtimeve të parikthyeshme më.