48 VITE KARRIERË/ Fatmira Breçani: Shqiptarët të bëjnë të japësh maksimumin për ta – AlpeGossip
48 VITE KARRIERË/ Fatmira Breçani: Shqiptarët të bëjnë të japësh maksimumin për ta

48 VITE KARRIERË/ Fatmira Breçani: Shqiptarët të bëjnë të japësh maksimumin për ta

Janë bërë thuajse 48 vite karrierë që merret me muzikë. Fatmira Breçani është një nga artistet e afirmuara të tregut muzikor shqiptar me jetëgjatësinë mund të themi më të konsiderueshme në këtë lloj arti në krahasim me disa personazhe të tjerë.

Zhanri që ajo ndjek është ai tradicional-folk dhe kryesisht projektet muzikore janë këngë patriotike dhe popullore. Ka arritur ta përçojë muzikën shqiptare në një nivel tjetër, në atë gradë që vetëm Bilbilat e Veriut dinë më së miri.

E pranishme gjithmonë në koncerte jashtë dhe brenda kufijve Fatmira thotë që në Zvicër dhe Tropojë gjen gjithnjë suportin më të madh prej fansave të saj. Në këtë intervistë ajo u shpreh mbi muzikën popullore, sa të lidhur janë shqiptarët me muzikën etj.

Pse keni zgjedhur pikërisht muzikën popullore?

Unë i pëlqej të gjitha rrymat muzikore, por muzikën popullore e kam zgjedhur sepse aty gjej veten time më së miri.

Çfarë është muzika për ju?

Mund të them fare mirë që muzika për mua është e barasvlershme me ushqimin që konsumoj çdo ditë. Është ushqim për shpirtin, është ushqim për mendjen e sidomos atëherë kur shikoj që kam mbështetës gjithandej, kur shikoj që më duan.

A ju largon nga streset e përditshmërisë dhe si e bën këtë gjë nëse po?

Është normale që muzika te largon stresin që çdo njëri nga ne mund të ketë. Për sa kohë jam gjithnjë në lëvizje, nëpër koncerte jam në kontakt me dashamirës dhe fansa. Ata më bëjnë të ndihem mirë jo vetëm mua por besoj të gjithë artistët e tjerë që merren me muzikë. Edhe nëse me rastis që nuk jam në ndonjë koncert, këndoj në shtëpi dhe kur e bëj këtë gjë ndihem shumë e qetë.

Kush ka qenë suporti më i madh që të ecni përpara? Apo mendoni që suksesi më i madh është besimi në vetvete?

Familja është bërthama e çdo gjëje që pason aktivitetet tona. Është gjëja më e rëndësishme nga e cila na vjen suporti më i pastër prandaj e para është familja pastaj sigurisht që po besimi në vetvete dhe kurajë për të mos u ndalur kurrë.

Padyshim në gjithë këto vite karrierë keni pafund momente të bukura dhe nga ato disi të pahijshme me kolegë dhe fansa. A mund të na thoni disa detaje?

Në përgjithësi momentet me fansat dhe kolegët janë realisht shumë të bukura. Sigurisht do gënjeja nëse do të thoja që çdo gjë ecën vaj, nuk ndodh kështu, por janë gjëra të vogla të parëndësishme them unë që s’ia vlen të përmenden.

Çfarë raporti kanë shqiptarët me muzikën?

Shqiptarët janë artdashës dhe të japin forcën e nevojshme për të ecur para dhe për të dhënë maksimumin për ta.

Cili është vendi më i preferuar një këtu në Shqipëri dhe një jashtë kufijve në të cilin ndiheni shumë rehat sa herë shkoni nëpër koncerte?

Në Shqipëri po “votoj” për Tropojën dhe jashtë kufijve Zvicra!

Nëse një ditë nuk do merreshe me muzikë cila do ishte arsyeja?

Shpresoj që të mos ndodhë kurrë, vetëm larg qoftë nëse përballem me diçka që ma ndalon në mënyrë kategorike.

Çfarë do i thonit një njeriu që ka humbur totalisht besimin? 

Uroj të gjesh forcën për t’ia dalë mbanë, askush nuk vlen më shume sesa ti fillimisht. Kurajo dhe vetëm kurajo.

Çfarë nuk harroni ju lehtë dhe nuk falni gjithashtu?

Të mirën që më bën dikush nuk e harroj kurrë dhe të keqen se fal. Përderisa nuk po të bëj dëm pse të më bësh? Prandaj se fal dot…

Po nga kolegët e estradës kë mund të diferenconi për marrëdhënien e konsoliduar që keni dhe pse? 

Po them Gëzim Nika, me të cilin kam bashkëpunuar që në rininë tonë dhe bashkëpunimet vazhdojnë ende sot.