E DINIT? Ja pse çiftet bëjnë tatuazhe për njëri-tjetrin – AlpeGossip
E DINIT? Ja pse çiftet bëjnë tatuazhe për njëri-tjetrin

E DINIT? Ja pse çiftet bëjnë tatuazhe për njëri-tjetrin

Fill pas ndarjes më tragjike të kohërave tona – ndoshta dhe të kohërave të të tjerëve – Pete Davidson dhe Ariana Grande filluan të mbulonin dhe ndryshonin tatuazhet që i dedikuan njëri-tjetrit gjatë lidhjes jetëshkurtër. Disa prej këtyre tatuazheve ishin njësoj: një re, akronimi “H2GKMO” që do të thotë “honest to god knock me out” (pash Zotin ma fut turinjve) dhe fjala “REBORN”. Askush nuk i rekomandon tatuazhet dedikuar partnerëve, madje konsiderohen si “puthja e vdekjes”. Tatuazhet janë të përjetshme, shumica e lidhjeve, jo. Çfarë ndodh nëse ndaheni?

Viren Swami, pedagog i psikologjisë shoqërore në Anglia Ruskin University në Cambridge, ka studiuar dallimet në personalitetet e personave me tatuazhe dhe atyre pa tatuazhe, si dhe motivacionet pas tatuazheve. Ai thotë se arsyeja kryesore është dëshira për të qenë unik ose për të shënjuar diçka me rëndësi. Swami mendon se kjo mendësi vlen dhe për çiftet. “Kur çiftet bëjnë të njëjtin tatuazh, ose kur dikush i dedikon një tatuazh partnerit, praktikisht po thotë që ‘Kjo marrëdhënie ka rëndësi për mua,’” thotë Swami. “’Kjo është një lidhje e rëndësishme e domethënëse dhe dua ta shënjoj këtë në një mënyrë të përhershme dhe të dhimbshme.’”

Çiftet që kanë bërë të njëjtin tatuazh dhe kanë vite bashkë bien dakord me deklaratën e mësipërme. Madje s’janë penduar në asnjë moment për vendimin e marrë. “Unë dhe e dashura ime bëmë tatuazhe për njëri-tjetrin pas shtatë vitesh bashkë,” thotë Susie, e cila ka një hënë në kyç që kombinohet me diellin në kyçin e partneres së saj. “Pimë pak dhe e hodhëm kujdesin nga dritarja. Na pëlqejnë ende!”

 

“Edhe nëse ndahemi, hëna do të më pëlqejë njësoj, edhe asaj dielli. Këtë muaj festojmë përvjetorin tonë të tetë dhe kemi në plan të martohemi në Halloween 2020 – që bie në sinkron me hënën e plotë,” thotë Susie.

Një tjetër çift thotë se bënë tatuazhe për njëri-tjetrin për të vulosur përfundimisht ndjenjat. “Nuk jam naive kur vjen puna të ndarjet. Jam 30 e ca vjeçe, i kam kaluar ca ndarje në jetë,” thotë Summer. “Duke marrë parasysh se asnjë lidhje e mëparshme s’më përcillte siguri, s’e mora kurrë në konsideratë një tatuazh për partnerin.” Por me Peter, tanimë të fejuarin e saj, gjërat ishin ndryshe.

“Gjithë frikërat tipike u zhdukën me Peter. Blemë një shtëpi bashkë para përvjetorit tonë të parë. Tre muaj më vonë, adoptuam një qen. Gjashtë muaj më vonë, ishim të lumtur si në fillim. U fejuam në New Orleans,” thotë ajo. “Në të njëjtin udhëtim bëmë dhe tatuazhet. Nga një magnet secili në shpatull, me fytyrë nga njëri-tjetri.” Për Summer, magnetët simbolizojnë tërhqjen mes tyre, por edhe këngën e tyre si çift, “Magnet” nga NRBQ.

Porsi Susie, as Summer nuk e sheh ndarjen si një mundësi në të ardhmen. Edhe nëse ndahen, tatuazhi do të ketë sërish kuptim për të.

Swami beson se tatuazhet mund t’i përmirësojnë lidhjet e çifteve që i bëjnë. “Në studim, zbuluam se tatuazhet kanë ndikim mbi individin. Pas tatuazhit të parë, njerëzit ndihen më mirë për veten dhe trupin e tyre,” thotë ai. “Dyshoj se diçka e ngjashme ndodh dhe me çiftet që bëjnë tatuazhe bashkë dhe marrëdhëniet e tyre. Fakti që ndajnë këtë përvojë me njëri-tjetrin, e bën lidhjen më intime dhe i afron më shumë.”

Alliston dhe bashkëshorti i saj prej dhjetë vitesh, bënë të njëjtin tatuazh oroborosi – gjapri që kafshon bishtin e vet – dhe edhe pse i bënë nëntë muaj larg njëri-tjetrit, janë kthyer në një histori familjare që lidhjet me fëmijët e tyre. “Unë e bëra tatuazhin para se të mbesja shtatzënë me fëmijën tonë të parë, ndërsa ai e bëri në fund të shtatzënisë. Është një farë shenje e kohëzgjatjes së shtatzënisë së parë,” thotë ajo. “Tani që kemi dy fëmijë, bëjmë shaka dhe themi që është simboli i familjes dhe fëmijët vizatojnë oroboruse në krahë.”

Ndoshta, këto çifte që guxojnë mjaftueshëm sa për t’i dalë kundër një supersticioni s’janë impulsivë, por të evoluuar. Duke bërë të njëjtin tatuazh, ndoshta kuptojnë ç’e bën një marrëdhënie të suksesshme, të rëndësishme, pavarësisht sa zgjat.