KËSHILLA E GJINEKOLOGES/ Kujdes kistet e vezoreve, ja pse nuk duhen neglizhuar – AlpeGossip
KËSHILLA E GJINEKOLOGES/ Kujdes kistet e vezoreve, ja pse nuk duhen neglizhuar

KËSHILLA E GJINEKOLOGES/ Kujdes kistet e vezoreve, ja pse nuk duhen neglizhuar

Shumica e femrave kanë të paktën një herë në jetë kiste në vezore mjekja gjinekologe Jonida Reveli shpjegon se kisti i vezores është një strukturë e mbushur me lëng ose me përmbajtje gjysmë të lëngshme që krijohet në brendësi ose në sipërfaqe të vezoreve. Për shkak se kistet e vezoreve nuk shoqërohen me asnjë simptomë shqetësuese, sipas doktoreshës Reveli zbulimi i tyre bëhet vetëm përmes një vizite apo ekzaminimi ekografik gjinekologjik. Sakaq në rast mostrajtimi të tyre, pasojat mund të jenë nga vështirësi për të konceptuar një shtatzëni deri në transformim kancerogjen të kistit.

Kur një femër përballet me kistet e vezoreve, çfarë janë ato dhe si mund të kuptohet që është pikërisht ky shqetësim?

Kistet e vezoreve janë një nga diagnozat më të shpeshta me të cilën përballemi ne gjinekologët gjatë punës sonë të përditshme. Shumica e femrave kanë të paktën një herë në jetë kiste në vezore. Zakonisht ato shfaqen në moshën riprodhuese, ndërsa ato në menopauze janë më të rralla. Kisti i vezores është një strukturë e mbushur me lëng ose me përmbajtje gjysmë të lëngshme që krijohet në brendësi ose në sipërfaqe të vezoreve. Në shumicën e rasteve kistet e vezoreve nuk shoqërohen me asnjë simptomë shqetësuese dhe zbulohen rastësisht gjatë një vizite apo ekzaminimi ekografik gjinekologjik.

Cilat janë shkaqet e formimit të tyre? A hasen këto probleme te të gjitha femrat?

Kemi disa lloje kistesh në vezore dhe për rrjedhojë dhe shkaqet e formimit të tyre janë disa. Si fillim duhet të shpjegojmë pak si funksionon një cikël normal menstrual, për të kuptuar më tej si formohen kistet e vezoreve. Çdo femër ka dy vezore, organe në formën e fasules të vendosura në dy anët e mitrës, pjese e traktit riprodhues femëror. Vezoret kanë dy funksione kryesore: Së pari, të prodhojnë vezën afërsisht çdo 28 ditë. Veza qëndron brenda një strukture që përmban lëng dhe e mbron atë që quhet folikul. Së dyti, të prodhojnë hormone femërore si estrogjeni dhe progesteroni që luajnë një rol thelbësor në riprodhim. Kistet në vezore klasifikohen në dy grupe të mëdha: kiste funksionale dhe kiste patologjike. Më të shpeshta janë kistet funksionale ose kiste që formohen gjatë një cikli normal menstrual. Ato krijohen kur folikuli që mban vezën nuk çahet për të çliruar vezën dhe fryhet duke krijuar kistin. Gjithashtu mund të krijohen edhe pasi është çliruar veza, por vendi i daljes së vezës mbyllet dhe folikuli mbushet me likid ose gjak duke u shndërruar në kist. Kistet funksionale zakonisht janë beninje, pa simptoma shoqëruese dhe zhduken vetvetiu në të shumtën e rasteve brenda 1- 3 muajsh. Më të rralla janë kistet patologjike të shkaktuara nga rritje qelizore jo normale dhe që nuk lidhen me ciklin normal menstrual. Janë kiste që formohen si te femrat në moshën riprodhuese dhe ato në menopauzë. Në shumicën e rasteve janë beninje por mund të jenë dhe malinje. Ndër kistet patologjike mund të përmendim kistet dermoide, endometriozike, cistadenomat, vezoret polikistike etj.

Cilat janë shenjat?

Zakonisht nuk kanë simptoma. Kisti do shoqërohet me shenja vetëm nëse çahet, zmadhohet shumë dhe vështirëson qarkullimin e gjakut në vezore, shtyp organet përreth, përdridhet apo shkakton vonesa në ovulacion (prodhimi i vezës). Shenjat janë; dhimbje pelvike që mund të jetë nga një rëndesë në fund të barkut deri në një dhimbje e mprehtë, e fortë e menjëhershme në rastet akute, dhembje gjatë marrëdhënieve seksuale, vështirësi në jashtëqitje, urinim i shpeshtë, ndjesia e barkut të fryrë edhe pse mund të kesh konsumuar një vakt të lehtë, çrregullime të ciklit menstrual si cikël i çrregullt, sasi e shtuar apo më e pakët se normalisht, të përziera, të vjella, dhimbje të gjoksit, ethe, vështirësi për të konceptuar një shtatzëni.

Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore?

Rastet kur duhet të kërkojë ndihmë urgjente mjekësore janë kur përjeton dhimbje të fortë të menjëhershme therëse në fund të barkut, kur ka ethe, të vjella apo kur ka shenjat e shokut si frymëmarrje e shpeshtë, zbehje, dobësi, ftohje të lëkurës etj.

Çfarë trajtimesh bëhen për kistet e vezoreve?

Ka disa lloje trajtimesh në varësi të llojit, përmasave e cilësisë së kistit. Qëndrimi pritës – pritje dhe rikontroll pas pak kohësh për të parë nëse kisti është zhdukur apo zvogëluar. Ky qëndrim mbahet pavarësisht nga mosha kur në ekografi vihet re një kist i vogël i mbushur me likid të pastër (funksional folikular) dhe pacientja nuk ka simptoma. Përdorimi i kontraceptivëve oralë – jepen për të parandaluar riformimin e kisteve në ciklet pasardhëse menstruale dhe gjithashtu për të ulur riskun e zhvillimit të tumoreve të vezoreve, risk që është më i lartë te gratë në menopauzë. Trajtimi kirurgjikal që nënkupton heqjen e kistit, të vezores apo të mitrës dhe vezoreve në varësi të llojit të kistit. Laparoskopia ose kirurgjia e mbyllur me incizione të vogla pa hapje të barkut është metodë që përdoret për kiste jo të mëdha dhe të pakomplikuara. Laparotomia ose kirurgjia e hapur përdoret për kiste të mëdha dhe të komplikuara. Pas këtyre ndërhyrjeve merret material për biopsi për të përcaktuar nëse kemi ndryshime kancerogjene apo jo, e për të marrë masat e duhura më tej.

Në rast mostrajtimi mjekësor, cilat janë komplikacionet që rrezikojnë femrat?

Në rast mosdiagnostikimi dhe mostrajtimi mjekësor në kohë mund të hasim tri komplikacione kryesore; çarjen e kistit dhe depozitimin e lëngut të tij në hapësirën peritoneale duke sjellë dhimbje, infeksione, deri në urgjencë kirurgjikale. Përdredhja ose torsioni i kistit është komplikacion jo i shpeshtë, por duke penguar qarkullimin normal të gjakut në vezore mund të shkojë deri në dëmtim, nekrozë të vezores dhe gjithashtu urgjencë kirurgjikale si dhe transformim kancerogjen të kistit, gjithashtu i rrallë.

A mund të parandalohen kistet e vezoreve?

Nuk ka një metodë specifike për të parandaluar kistet e vezoreve. Femrat duhet të dinë që vizitat e rregullta gjinekologjike mund të japin një ndihmë të rëndësishme në diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të kisteve në vezore, duke parandaluar kështu komplikacionet e mundshme. Ndaj nëse keni një nga shenjat, si: dhimbje e vazhdueshme e fundit të barkut, ndryshime të ciklit tuaj menstrual, fryrje barku, rënie në peshë, rënie e oreksit duhet sa më shpejt të lini takim me gjinekologun tuaj.