Emrat shqiptarë zakonisht janë të veçantë, por kjo nuk do të thotë që kemi të drejtë të mos i themi apo të mos i shkruajmë siç duhet. Megjithatë ndodh që shpesh heqim apo shtojmë një shkronjë duke i quajtur njerëzit me një emër që nuk është i tyre. Një dukuri e tillë bie më shumë në sy kur personazhet janë të njohur.
Disave prej tyre iu duhet të saktësojnë vazhdimisht emrin me shpresën që në mendjen e publikut, por dhe të kolegëve do të ngulitet emri i saktë…Po i ndihmojmë pak dhe ne duke ju treguar si quhen në të vërtetë disa nga personazhet e njohur shqiptarë, që shumica ua ngatërrojnë emrin.
Rezear Xhaxhiu
Gazetari i njohur, i emisioneve të mëngjesit, Rezear Xhaxhiu është një prej personazheve që jo të gjithë ia dinë emrin. Do çuditeni kur të mesoni se emri i tij është Rezear dhe jo Rezart. I ati, profesor dhe poet, ka zgjedhur pikërisht këtë emër të veçantë për të birin. Një emër i veçantë meriton të qëndrojë i pandryshuar, apo jo?
Atifete Jahjaga
Ish-Presidentja Jahjaga është liderja femër më e re e zgjedhur në postin e Presidentes dhe po ashtu Presidentja e parë femër në historinë moderne të Ballkanit. Shpesh herë emrin e saj e shqiptojnë, Ahtifete apo Ahtihfete. E keni gabim emri i saj është thjesht Atifete Jahjaga.
Ingrit Gjoni
Këngëtarja, Ingrit Gjoni mban një emër disi të veçantë, e kushdo që e dëgjon e shqipton si Ingrid, por e dini gabim. Ajo e ka pranuar edhe vetë publikisht që nuk e ka emrin Ingrid, por Ingrit.
Albërie Hadërgjonaj
Këngëtarja nga Kosova, Albërie Hadërgjonaj, është pjesë e kësaj liste. Ne shpesh ia ngatërrojmë emrin duke e quajtur Arbërie. Mos ndoshta nga ndjenja e patriotizmit?! Megjithatë edhe varianti i duhur i emrit, ka sërish rrënjë shqiptare…
Eneda Tarifa
Edhe pse shumica e njohin si Eneida, duke u nisur nga vepra e Virgjilit, këngëtarja dhe moderatorja shqiptare e ka emrin thjesht Eneda, pa i, siç e ka theksuar edhe vetë disa herë.
Behgjet Pacolli
Biznesmeni dhe politikani nga Kosova, është gjithashtu pjesë e kësaj liste. Emrin e tij shpesh e shqiptojnë si Behxhet apo Bexhet, një variant emri i përhapur në Shqipëri, por në Kosovë, xh-ja shkëmbehet me gj-në dhe emri i filantropit shqiptar, është pikërisht Behgjet.
Leonora Jakupi
Këngëtarja simpatike nga Kosova ka një emër të dëgjuar e deri diku të thjeshtë, por ndonjëherë e quajnë Eleonora. Megjithatë, emri i saj është Leonora Jakupi.
Anbeta Toromani
Balerina shqiptare ka një emër unik, që rrit shanset për t’ia ngatërruar. Ajo tashmë është rikthyer në Shqipëri pas shumë vitesh në Itali, ku ka ndërtuar një karrierë brilante dhe duket sikur nuk është larguar kurrë…Madje dhe emrin ia themi sërish gabim, si atëherë, Ambeta, ndërkohë që emri i saj është Anbeta.