”MË KA MARRË MALLI”/ Tefta rrëfen e përlotur ditën e fundit me Françesk Radin – AlpeGossip
”MË KA MARRË MALLI”/ Tefta rrëfen e përlotur ditën e fundit me Françesk Radin

”MË KA MARRË MALLI”/ Tefta rrëfen e përlotur ditën e fundit me Françesk Radin

Këtë të mërkurë, e ftuar në emisionin ‘Soiree’ nga Jonida Shehu ishte Tefta Radi, bashkëshortja e artistit që guxoi me muzikën e tij, Françesk Radit. Tefta është shfaqur në ekran pas shumë kohësh për hir të të shoqit, ka treguar historitë e ndara me të dhe po ashtu ka shpalosur me teleshikuesit mallin që i ka lënë ikja e tij.

Moderatorja Shehu e ka pyetur nëse takon ndonjë shok të të shoqit, kur vjen në Tiranë për ndonjë punë. “Takoj miqtë e Frankos që më rrinë shumë afër, takoj kolegët e mi, por Franko më mungon shumë”, ka treguar Tefta ndërkohë që sytë i janë mbushur me lot.

Po ashtu, në këtë të mërkurë dedikuar Françesk Radit, bashkëshortja ka rrëfyer se si ka qenë dita e fundit pranë tij. “Dita e fundit me Frankon ishte si një nga ditët tona të zakonshme, mjaft e lumtur. Ishte e dielë, më kishte ardhur vëllai nga Australia, ishim në Petrelë në një zonë të bukur, drekuam me miqtë tanë, me Mark Lulin dhe bashkëshorten e tij. Ishte një ditë plot humor, plot batuta, sepse një nga të veçantat e Frankos ishte humori i tij, buzëqeshja e tij e ëmbël dhe humori me batuta që të bënte të flakje tej çdo lloj nervozizmi. Ishte një ditë e zakonshme, sepse të gjitha ditët tona ishin të bukura. U kthyem në shtëpi rreth orës 6. Pas gjysëm ore pushimi u fut në studion e tij. U ul për të punuar. Ishte duke përgatitur 5-6 këngë para se të largoheshim për në Australi në një recital që do t’i realizonte tek Alban Dudushi me tenorin Kastriot Tusha. Ishin këngë të zgjedhura, këngë të bukura, napoletane, për t’i patur si kujtim dy miq. Kishim dy ditë që kishim filluar provat. Ndodhi ajo çudia që ndodhi. Punoi dy orë e gjysëm. Nga ora 9 u ulëm për të parë një koncert në Rai në Arena di Verona, bëhej me gratë artiste italiane me Loredana Bertè etj. dhe të gjithë fondet do të kalonin për gratë e dhunuara. Ishte koncert brilant. U kënaqëm dhe rreth orës 12-12:30 sa mbaroi koncerti dhe nga ora 1 ramë për të fjetur dhe Franko ra në një gjumë dhe nuk u ngrit më”, është shprehur Tefta mes dhimbjes dhe mallit.