MES DONALD TRUMP DHE NANCY PELOSI-T/ Greta Thunberg shpallet Personazhi i Vitit 2019 – AlpeGossip
MES DONALD TRUMP DHE NANCY PELOSI-T/ Greta Thunberg shpallet Personazhi i Vitit 2019

MES DONALD TRUMP DHE NANCY PELOSI-T/ Greta Thunberg shpallet Personazhi i Vitit 2019

Greta Thunberg, adoleshentja aktiviste nga Suedia që ka kërkuar ndërhyrje emergjente në lidhje me krizën klimaterike që ka pushtuar globin, u shpall Personazhi i Vitit 2019 nga Time Magazine. Ajo është personazhi më i ri në moshë që është nderuar me këtë titull.

Thunberg, 16 vjeçe, u lëvdua nga Time për fushatën mjedisore që nisi në gusht të 2018-s, e që u kthye në një lëvizje botërore. Aktivistja nuk shkonte në shkollë, protestonte para parlamentit suedez e kërkonte të bëhej diçka për krimet ndaj natyrës.

“Për 16 muaj, ajo ka folur me drejtuesit e Kombeve të Bashkuara, është takuar me papën, është fërkuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ka frymëzuar 4 milionë njerëz t’i bashkohen demonstratës për klimën më 20 shtator 2019, demonstrata më e madhe për klimën në historinë e njerëzimit,” shkruan revista.

Thunberg, e cila feston ditëlindjen e 17 në janar, vijon t’i përkushtohet aktivizmit. Në Madrid, javën e kaluar ajo tha se zëri i saj po dëgjohet, por asgjë s’po bëhet.

Ish zv. Presidenti amerikan, Al Gore, gjithashtu aktivist i njohur mjedisor, e quajti brilante përzgjedhjen e Thunberg si Personazh i Vitit.

“Greta trupëzon autoritetin moral të aktivizmit rinor që kërkon veprim të menjëhershëm për të zgjidhur problemin e klimës botërore. Ajo shërben si një frymëzim për mua dhe për njerëz në gjithë botën,” tha Gore.

Të tjerë të nominuar për të njëjtin titull ishin Donald Trump dhe Nancy Pelosi, politikane demokrate në Kongres.