KORONAVIRUSI/ Si po e përballojnë të pasurit dhe të famshmit – AlpeGossip
KORONAVIRUSI/ Si po e përballojnë të pasurit dhe të famshmit

KORONAVIRUSI/ Si po e përballojnë të pasurit dhe të famshmit

Koronavirusi nuk dallon mes klasave shoqërore, profesioneve apo racave, por gjatë një pandemie, siç tha dikur F. Scott Fitzgerald, të pasurit “janë ndryshe nga unë dhe ti.”

Teksa shumica prej nesh po grumbullojnë ushqime dhe po punojnë nga shtëpia, ata që kanë më shumë të ardhura se ne po bëjnë të tjera plane.

Fluturime private

Kur vihen para zgjedhjesh të luftojnë apo të largohen, të pasurit zgjedhin të largohen. Udhëtimet me avionë privatë po përjetojnë një bum, me dhjetëfish më shumë prenotime se më parë. Përmes fluturimeve private, të pasurit mund të shmangin kontaktin me të panjohurit dhe zonat e rrezikuara.

Vendndodhja

Të kesh një vend ku mund të arratisesh është gjithmonë mirë. Miliarderët e Silicon Valley, si investitori Peter Thiel, iu drejtuan menjëherë Zelandës së Re.

Një shtëpi në fshat e mbushur me ushqime është gjithashtu një bonus i rëndësishëm. Milionerët dhe miliarderët u nisën drejt shtëpive të tyre në Idaho apo Glocestershire për të limituar kontaktin me të tjerët.

Rëndësi ka kë njeh, jo çfarë di

Administrata e Trump, që deri më tani e nënvlerësoi rrezikun, nuk vonoi të testonte të parët besnikët e partisë.

Dy republikanë, kongresmeni i Floridës, Matt Gaetz dhe ai i Karolinës së Veriut, Mark Meadoës, u testuan menjëherë pasi u ekspozuan muajin e kaluar ndaj një bartësi të Covid-19. Asnjëri nuk kishte simptoma dhe testimi i tyre thjeshtë vërtetoi se qeveria nuk ndjek këshillat e veta: pra testimin e pacientëve të shtruar që shfaqin simptoma, të mëdhenj në moshë dhe me probleme të mëparshme shëndetësore.

Maska

Nëse avionët s’lejohen dhe duhet të përzihesh me popullin e thjeshtë, është mirë të kesh një maskë.

Kirurgu amerikan, Jerome Adams, i kërkoi publikut të mos blejë më maska sepse po shkaktojnë mangësira në sistemin spitalor.

Kjo nuk e ndaloi Naomi Campbell të udhëtonte e mbathur kokë e këmbë me kostum mbrojtës dhe me maskë 3M N95 – maskë që përdoret nga mjekët dhe që momentalisht ka mangësira në treg.

Gwyneth Paltrow pozoi në një selfie me një maskë të quajtur “urban air mask” nga kompania suedeze, Airinum. Në vitin 2011, Paltrow ishte protagoniste në dramën “Contagion” që fliste për një skenar të ngjashëm me koronavirusin e tanishëm.

“Paranojake? E panikosur? Pandemike? Propagandë?” shkroi Paltrow, që mesa duket i referohet vetes në vetën e tretë. “Paltrow do të flejë me maskë në avion. Kam qenë te ky film. Kujdesuni për veten. Mos prekni kënd. Lani duart.”

Pasuria s’e blen dot dashurinë

Kudo që shkojnë të pasurit, shkojnë vetëm.

Karantina do të jetë e tmerrshme për çiftet e majme që do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi dhe të përballen me problemet që kanë shmangur deri më tani.

Mitchell Moss, pedagog i politikave urbane në New York University, tha për Bloomberg News: “Do të shkatërrohen martesat e të pasurve… Burra dhe gra që udhëtojnë pambarimisht larg njëri-tjetrit do të kalojnë kohë me njeriun me të cilin u martuan.”

Përshtatur nga The Guardian