ABC anulon shfaqjen komedianes Roseanne Barr, përdori terma raciste – AlpeGossip
ABC anulon shfaqjen komedianes Roseanne Barr, përdori terma raciste

ABC anulon shfaqjen komedianes Roseanne Barr, përdori terma raciste

Rrjeti amerikan ABC ka anuluar sitkomin e komedianes Roseanne Barr, pas komenteve raciste ndaj një ish-ndihmëseje të Barack Obamas.

Në një postim që tashmë është fshirë nga Twitter-i, Barr krahasonte Valerie Jarrett me një majmun. Ish-këshilltarja e Obamas, një nga personat më të afërt të tij, është lindur në Iran nga prindër afro-amerikanë.

Komenti shkaktoi furi mes përdoruesve të internetit dhe reagimet e ashpra bënë që aktorja 65-vjeçare të kërkonte falje për komentin duke e quajtur “një shaka të keqe”. Por kjo nuk mjaftoi për drejtuesit e rrjetit ABC, të cilët vendosën të anulonin shfaqjen shumë të suksesshme të komedianes, që ishte rikthyer në televizionet amerikane pas vitesh të tëra, duke shënuar rekorde audience për televizionin në kohë reale.

Në një reagim pas polemikës së shkaktuar nga komediania, zonja Valerie Jarrett u shpreh se ngjarja duhet të shërbejë si një “moment mësimi”. “Jam e shqetësuar për ata persona të cilët nuk kanë një rreth miqsh apo ndjekësish që t’i mbrojnë,” u shpreh ajo.

Në ditët e fundit, aktorja Roseanne Barr kishte thumbuar një sërë personalitetesh dhe figurash të njohura të politikës në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ajo njihet si një mbështetëse e presidentit Donald Trump.