Aleancat më të famshme të VIP-ave: Dyshet e ekranit që s’bëjnë dot pa njëra-tjetrën – AlpeGossip
Aleancat më të famshme të VIP-ave: Dyshet e ekranit që s’bëjnë dot pa njëra-tjetrën

Aleancat më të famshme të VIP-ave: Dyshet e ekranit që s’bëjnë dot pa njëra-tjetrën

Thonë që gjërat e mëdha një njeri s’mund t’i bëjë i vetëm, pa ndihmën dhe praninë e një miku apo bashkëpunëtori të ngushtë që ndan të njëjtin vizion me të. Bota e televizionit është e vështirë dhe konkurrenca është e ashpër, ndaj personazhe të ndryshme e kanë parë të nevojshme të krijojnë aleanca për të triumfuar, që me kalimin e viteve janë kthyer edhe në shoqëri të mira.

 

Prej rreth 15 vitesh, qëkur Zonë e Lirë ka nisur transmetimin, Arjan Çani i ka besuar regjizurën e emisionit të tij Ledios. Ledio i famshëm i ‘Ledio të lutem’, qëndron në prapaskenë dhe gjithçka kemi dëgjuar prej tij është zëri . Ky bashkëpunim ka rezultuar mjaft i suksesshëm dhe Çani ka treguar se s’ka ndërmend të bashkëpunojë me askënd tjetër, për sa kohë ai dhe Ledio kanë të njëjtat objektiva.

Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu bashkëpunojnë prej 16 vitesh dhe s’kanë ndërmend të ndalen tani. Puna e tyre e parë ka qenë tek ‘Kërkohet një yll’, kur Alketa ishte vetëm 15 vjeç. Vera producente dhe Alketa moderatore, ky binom duket se ka rezultuar shumë i suksesshëm dhe këtë e dëshmojnë projektet e vazhdueshme të të dyjave.

Ardit Gjebrea dhe Aldon Lipe janë bashkë në çdo projekt televiziv. Arditi është producent dhe moderator ndërsa Aldo i njohur nga emisioni ‘Aldo Morning Shoë’ është regjizor. Të dy kuptohen mirë dhe i njohin aftësitë dhe kërkesat e njëri-tjetrit, duke e bërë më të lehtë bashkëpunimin.

Ashtu si Vera dhe Alketa, Pali Kuke dhe Adi Krasta kanë qenë të pandarë në rrugëtimin e tyre profesional. Gjithnjë në krah të njëri-tjetrit, gati për t’u përballur bashkë me projektet e radhës.

Bes Kallaku dhe Erion Isai ishin bashkë në Portokalli, u larguan bashkë prej saj dhe po bashkë po projektojnë planet e së ardhmes. Ata ishin të dy në prezantimin e ‘Këngës Magjike’ dhe tani na kanë lënë të besojmë se po thurin diçka bashkë.

Blendi Fevziu është si ai nxënësi i shkëlqyer. Gjithnjë një orar, sistematik, me të gjitha 10-ta. Të tjerët ikin e vijnë, por Blendi është gjithnjë aty, në bangën e parë, ndaj do s’do, mund të hyjë në muhabetin me mësuesin pak më shumë se të tjerët. Kjo shpjegon lidhjen e tij të afërt me Aleksandër Frangaj, presidentin e Klanit, televizion ku Blendi punon prej 20 vitesh. Qëndrimi i tij për një kohë të gjatë atje të bësh të kuptosh që ky bashkëpunim është aq i suksesshëm, sa në dy dekada asnjë tjetër nuk e ka joshur aq sa për t’u larguar.

 

Fatma dhe Aulona janë dyshja historike e Thumb-it, të dyja bashkë qysh prej fillimit, kur publikonin video në You Tube dhe vazhdojnë të jenë krahu i djathtë i sho-shoqes në çdo dalje të tyre. Ato përfundojnë fjalitë e njëra-tjetrës dhe kanë të njëjtin ritëm në prezantim, janë njësoj entuziaste për tema të ndryshme dhe këtë e reflektojnë tek publiku që i ndjek.

Sellma Kasumoviq dhe Kaci Lleshi, grimierja dhe stilisti i flokëve kanë bashkëpunuar që në fillimet e tyre, 15 vite më parë. Ata hapën bashkë një sallon që rezultoi mjaft i suksesshëm dhe tani ndonëse janë zhvendosur në sallonet respektive, punojnë ngjitur me njëri-tjetrin dhe njerëzit i duan njësoj. Personazhe të njohur i kanë besuar daljet e tyre më të rëndësishme Sellmës dhe Kacit, dora e të cilëve tashmë është lehtësisht identifikuese.

Copyright Anabel.al