ATY KU MBIZOTËRON NGJYRA ROZË/ Diola Dosti: Rrëmuja ime e bukur (FOTO) – AlpeGossip
ATY KU MBIZOTËRON NGJYRA ROZË/ Diola Dosti: Rrëmuja ime e bukur (FOTO)

ATY KU MBIZOTËRON NGJYRA ROZË/ Diola Dosti: Rrëmuja ime e bukur (FOTO)

 

Mëngjesi në shtëpinë e saj nis zhurmshëm, e kjo është e kuptueshme në një familje me tre fëmijë..Megjithatë mami Diola ka ditur t’ua ndajë mirë detyrat vajzave, ku secila prej tyre e di vetë rutinën e saj të mëngjesit, përveç të voglës Gjurmës, e cila sapo ka mbushur 1 vjeç, ajo ka ende nevojë për ndihmën e mamit….Diola Dosti nutricionistja me portretin e ëmbël, pas së cilit fshihet një vullnet e vendosmëri e hekurt, na lejoi të bënim një ‘udhëtim’ në familjen e saj ku mbizotëron ngjyra rozë…

Si është një mëngjes në një familje të madhe si e juaja? Si ndahen detyrat?

Zakonisht Dardani del nga shtëpia që në orën 7. Bleza shkon në mëngjes në shkollë, Enja pasdite. Bleza e di rutinën vet dhe unë nuk merrem thuajse fare me përgatitjen e saj, gjithashtu as me Enjën. I dinë shumë mirë detyrat e tyre: Pastrojnë dhëmbët, hanë mjaltin, bananen, marrin bukën e bërë gati që në darkë me vete dhe nisen për shkollë. Unë merrem me Gjurmën. Mëngjeset tona të përbashkëta janë shumë të rralla dhe në ato ditë, Dardani ka dëshirë të merret me përgatitjen e ushqimit, bashkë me vajzat.

1 Qershori sapo ka kaluar, si festuan Bleza, Enja dhe Gjurma?

Dardani si gjithmonë në punë, por pas punës gjetëm pak kohë për të vizituar qendrat tregtare të cilat patën organizime të ndryshme. Personalisht nuk më pëlqejnë vendet ku ka shumë zhurmë por kur bëhet fjalë për fëmijët, i shoqëroj, ose përpiqem ta gjej kohën për to. Morën dhurata që të treja, tërë dita ishte përjashta dhe ne nuk u ndalojmë asnjë kërkesë të tyren dhe këto, i ranë pak qylit.

Diola është një mami e rreptë apo tolerante?

Jam një mami shumë e rreptë kur bëhet fjalë për ushqimin. Jam tolerante kur bëhet fjalë për rrëmujë sepse vetë jam pak rrëmujaxhie, madje në mes të rrëmujës, nuk e di pse, por më lindin përherë ide të reja (qesh). Dhe këtë gjë nuk e kam shumë problem te vajzat. Dardani është shumë i rreptë, ai e do shumë rregullin. Këtu balancojmë njëri tjetrin. Por është më tolerant sesa duhet kur vjen puna tek ushqimi. Ai i përkëdhel gjithmonë me ushqime të cilat nuk ua jap dhe pastaj plas sherri (qesh)

Nëse do të gatuaje një ëmbëlsirë për vajzat cila do të ishte?

Një tortë me miell integral, rrush të thatë, pak sheqer kaf ose kanellë, kos, mollë dhe vezë. Bashkohen së bashku dhe për 15 minuta në furrë është gati. E shpejtë dhe e shëndetshme. Por e bëj shumë rrallë, një herë në 3 muaj.

Çfarë ka në frigoriferin e familjes së një nutricionisteje?

Frigoriferi jonë ka ngjyrë jeshile; sallatë jeshile, salcë kosi, rukola, kos, djathë, qumësht kokosi, mish viçi, bizele, fruta mali të ngrira, vezë fshati, brokoli, spinaq, qepë të njomë, kunguj, patate e ëmbël, ndërsa frutat e stinës i kemi mbi tryezë me arrat indiane, lajthitë, fistekët dhe bajamet.

Çfarë nuk do të ketë kurrë në frigoriferin tuaj?

Konservë, salsice, margarinë, ketchup, majonezë, akullore, qofte.

Çdo nënë ka dëshirë t’i ushqejë fëmijët shëndetshëm, por kjo kthehet në një ‘luftë e ftohtë’ mes prindërve dhe të vegjëlve; çfarë këshillash do u jepnit atyre?

Të kenë durim. Të jenë shembulli që fëmijët duhet të ndjekin. Nëse janë duke ngrënë sufllaqe dhe nga ana tjetër u ofrojnë fëmijëve një supë, sigurisht ata nuk do ta hanë. Të mos blejnë ushqime jo të shëndetshme sepse fëmijët tundohen nëse e dinë që në sirtar gjendet një çokollatë apo patatinë. Është ajo që unë e quaj ‘edukimi i frigoriferit’.

Po ti a tundohesh? Nëse po, cilin ushqim do të konsideroje si ‘mëkat i ëmbël’?

Nuk kam tundime fatmirësisht dhe çuditërisht as kur kam qenë shtatzënë nuk më shkonte mendja të haja diçka jo të shëndetshme. Madje në të 3-ja shtatzanitë e mia, ishte bashkëshorti ai që i hapej oreksi më shumë. Në verë më tundojnë akulloret por përpiqem t’i bëj vetë ose të mos e teproj me ato të gatshmet.

Cila është gjëja më e mirë që mund të hamë?

Avokado padyshim.

Cila është gjëja më e keqe?

Sheqeri.

Çfarë mendoni për veganët dhe vegjetarianët?

Veganët ose vegjetarianët e shëndetshëm janë shumë të zgjuar. Të dish të marrësh të gjithë nutrientët e duhur me natyrë jo shtazore, kërkon shumë njohuri. Kam mikesha që janë vegane dhe karakterizohen nga një energji pozitive fantastike. Veganët dhe vegjetarianët e mirëfilltë, që nuk e bëjnë këtë për trend, janë njerëz të mirëinformuar mbi nutrientët. Personalisht jam 6 muaj vegjetariane dhe 6 muaj mishngrënëse.

A është e shëndetshme për një fëmijë të jetë vegan apo vegjetarian?

Fëmijët duhet të jenë së paku peskatarianë, pra të hanë mishin e peshkut. Acidet yndyrore të marra me origjinë shtazore janë të rëndësishme për zhvillimin e sistemit nervor.

A mund ta na sugjeroni një regjim ushqimor për stinën e verës?

Gjatë verës duhet të konsumojmë më shumë ujë me limon. Është një metodë shumë e mirë që bën pastrimin e trupit çdo ditë. 70 për qind e trupit tonë është ujë kështu që nuk duhet të mungojë. Frutat e stinës janë shumë të pasura me ujë. Nëse do respektojmë stinën e çdo ushqimi, do jemi gjithmonë një hap larg sëmundjeve. Kujdes nga ushqimet me natyrë shtazore si mishi dhe nënproduktet e tij, qumështi, vezët dhe ushqimet e paketuara. Çdo ditë 20 minuta në diell për të marrë vitaminën D është shumë e nevojshme. Mëngjesi fillon me një gotë ujë me pak limon. Vezë e skuqur me spinaq dhe kërpudha. Dreka supë perimesh me sallatë jeshile dhe rukola. Darka gjithmonë më e lehtë, jo pas orës 7.  Darka një smoothie me fruta dhe kos.