Babai i Britney Spears, Jamie Spears, duket se ka ushtruar aq shumë kontroll mbi jetën e yllit të popit, saqë ka monitoruar edhe mesazhet e saj, telefonatat dhe historikun e kërkimeve ne internet, sipas pretendimeve në një dokumentari të ri.
Një ish-anëtar i ekipit të sigurisë së Britney-t, pretendoi në “The New York Times Presents: Controlling Britney Spears”, e cila u shfaq premierë të premten në FX dhe Hulu, se iu kërkua të “vendoste kontrollet prindërore” në celularin që kishte këngëtarja.
“Britney donte të merrte një iPhone … dhe kjo ishte një problem i madh. Të gjithë ishin të shqetësuar,”-tha Alex Vlasov, i cili punoi në Black Box Security nga 2012 deri në 2021.
Vlasov tha se ishte aq i shqetësuar nga kërkesa që ju bë, saqë menjëherë pyeti “për ligjshmërinë” e monitorimit të telefonit të Britney.
“Ata më thanë: ‘Po, gjykata është në dijeni të kësaj. Avokati i Britney është në dijeni të kësaj. Kjo është për sigurinë dhe mbrojtjen e saj'”- tha ai.
Vlasov pretendoi se ekipi përfundoi duke bërë pikërisht këtë gjë, duke i dhënë Jamie-t akses të plotë për të kontrolluar gjithçka që Britney bënte në telefonin e saj.
Avokati i ri i Britney, Mathew Rosengart, gjithashtu foli, duke thënë pjesërisht, “Përgjimi ose monitorimi i komunikimeve të Britney-t, veçanërisht komunikimet avokat-klient, përfaqëson një shkelje të turpshme dhe tronditëse të të drejtave, privatësisë dhe lirive civile.”
Rosengart shtoi se ai synon të “hetojë plotësisht dhe në mënyrë të ashpër këto çështje”.