DO TË NA FALENDERONI/ Libra të frikshëm që duhet të lexoni para Halloween-it – AlpeGossip
DO TË NA FALENDERONI/ Libra të frikshëm që duhet të lexoni para Halloween-it

DO TË NA FALENDERONI/ Libra të frikshëm që duhet të lexoni para Halloween-it

Ca gjëra nuk janë në dorën tonë. Halloween-i, edhe pse festohet i përgjysmuar në Shqipëri, ka lezetin e vet. Tani që është ftohur koha, duket sikur çdo gjë ka një element të frikshëm: errësira që bie pasditeve, gjethet që heqin dorë nga jeta, elektriciteti statik nga hiçi, vështrime të zbrazëta, erë fëshfëritëse. Sikur të shijon më shumë të shohësh një film të frikshëm a në këtë rast, të lexosh një libër që ngjall tmerr.

Siç e kërkon zakoni, iu drejtuam gurusë kulturore të këtij cepi të Instagramit, Kasandra Dragobisë e cila na sugjeroi një listë me libra të frikshëm që duhet të lexoni para Halloween-it. Nëse s’po e qëlloni ku e keni dëgjuar si emër, pak muaj më parë Kaso ju sugjeroi një listë me libra nga autorë shqiptarë, duke qenë se lexojmë kaq pak nga penat vendase.

Për fat të keq, disa nga librat nuk gjenden të përkthyer në shqip. Kryevepra e Shirley Jackson, “The Haunting of Hill House,” e vitit 1959 kosiderohet prej shumëkujt si romani horror më i rëndësishëm i shekullit të 20. Madje, ka shërbyer si frymëzim për një serial në Netflix me të njëjtin titull, realizuar po aq mirë sa romani.

[The Haunting of Hill House PDF]

E njëjta gjë vlen edhe për “The Call of Cthulhu” nga H.P. Lovecraft që do t’ju duhet ta lexoni në anglisht. Tregimi i shkurtër nga viti 1928 rrëfen historinë e një burri që zbulon shënimet e një xhaxhai të largët dhe përfshihet në një konspiraci me në krye një Zot oqeanik grek dhe ndjekësit e tij të dhunshëm.

[The Call of Cthulhu PDF]

Nëse ju bie në dorë diçka nga Stephen King, lexojeni. Në shqip janë vetëm dy romane, “Rrezatimi,” i cili është kthyer dhe në një film të paharrueshëm me të njëjtin titull (The Shining në anglisht); dhe “Celulari,” gjithashtu kthyer në film, përgjithësisht i papëlqyer nga kritika e publiku.

Sigurisht, nëse s’keni lexuar klasikët, shtijini në duar këtë muaj. “Drakula” nga Bram Stoker dhe “Frankenshtajn” nga Mary Shelley gjenden në shqip vetëm në botime për fëmijë, por sikur pak të mundoheni e pyesni bukinistët e qytetit, do të gjeni botime të vjetra e të plota të të këtyre kryeveprave. [Dracula PDF] [Frankenstein PDF]

Për fëmijët në jetën tuaj që gjithashtu tërhiqen nga e frikshmja, faluni një libër nga seria “Goosebumps” të autorit Robert Lawrence Stine.