E çuditshme: Vera Grabocka s’jep kurrë intervista, por vetëm kjo gazetare ja ka dalë – AlpeGossip
E çuditshme: Vera Grabocka s’jep kurrë intervista, por vetëm kjo gazetare ja ka dalë

E çuditshme: Vera Grabocka s’jep kurrë intervista, por vetëm kjo gazetare ja ka dalë

Regjisorja dhe producentja e njohur Vera Grabocka ka një filozofi të sajën në marrëdhënie me ekranin: Ajo nuk do të flasë asnjëherë, por të tjerët të flasin për të.

E famshme për këtë zgjedhje të sajën, gazetarët dhe kolegët e saj, kanë hequr dorë së ftuari producenten nëpër emisione dhe intervista ekskluzive përballë kameras.

Por çuditërisht, një gazetare e re e televizionit lokal të Maqedonisë “Alsat”, ka arritur t’i marrë më shumë se një fjali Grabockës. Në vitin 2012, gjatë audicionit për X Factor në Maqedoni, gazetarja nuk e dinte që dashje pa dashje është bërë e para në fushën e saj që ka arritur të thyejë heshtjen televizive të regjisores hermetike. Dëgjojeni Verën në këtë intervistë:

E lindur në Korçë, producentja akoma ruan pak nuanca të dialektit të qytetit të saj. Nuk ka asgjë të çuditshme në të folurën e saj ritmike dhe të sigurt, që mund të ishte shkaku përse ajo refuzon kamerat. Për më tepër, pamja e saj është e jashtëzakonshme, duke marrë në konsideratë që regjisorja ka kohë që ka kaluar të 60-tat (Në 21 Mars festoi ditëlindjen) .

Por ky vendim i një prej themelueseve të televizionit modern shqiptar, mesa duket daton që në vitet 90-të. Në Miss Albania 1999, ajo shfaqen në skenën e Pallatit të Kongreseve dhe prezantohet kështu nga Ardit Gjebrea:

“Të gjithë artistët ajo i ka ngjitur në këtë skenë dhe gjithmonë ka qënë në pultin e transmetimit duke xhiruar dhe asnjëherë nuk është ngjitur vetë. Le ta sjellim me një duartrokitje, mikeshën tonë, Vera Grabocka” thotë Arditi. Minuta 10:27

Por edhe atëherë dalja e saj në ekran kishte një qëllim. Ajo si bashkë-krijuese e Miss Albania, këtë rradhë vinte si presidente jurie, pasi prej disa kohësh jetonte në Los Angeles dhe patenta e konkursit të bukurisë administrohej nga Gjebrea.

Një tjetër tentativë e Verës për t’u miqësuar me kameran, ndodhi edhe gjatë puntatës së parë të XFactor 1, kur ajo u shfaq në një klip duke folur në telefon. Por edhe ajo provë zgjati aq dhe pastaj Vera me ‘magjinë” e saj të zhdukjes, u fsheh në pultin e transmetimit.

Hera e fundit që Vera foli, foli sepse nuk i shpëtonte dot: U nderua nga ish-presidenti Bamir Topi me titullin “Mjeshtër i madh”.

Edhe pse nuk flet në kamera, Vera në fakt nuk është se i ka humbur në ndonjë moment vëmendjes së publikut. Emri i saj është përmendur e stër-përmendur jo vetëm nga protégée e saj Alketa Vejsiu nëpër programe televizive, por edhe nga bashkëpunëtorë të tjerë e nga gazetarë që kanë shkruar për të nëpër revista, ku ajo ka pranuar të jetë në disa kopertina.

Dy vitet e fundit, producentja ka qënë shumë aktive në Instagram dhe vazhdimisht ndaj momente nga puna me spektaklet “Dance with me”, “Your Face Sounds Familiar” dhe së fundmi “Në kurthin e Peter Pan.”

Faleminderit per dashurine dhe te gjitha urimet! ❤️❤️❤️

A post shared by Vera Grabocka (@veragrabocka) on

Vitet kalojnë, energjia e kësaj gruaje nuk shteron, por megjithatë misteri i zgjedhjes së saj, do të vijojë edhe për shumë kohë. A do të ulet një ditë ajo përpara kamerës e të flasë, si gati të gjithë të famshmit e tjerë? Jemi të sigurt që të gjithë studiot më të njohura televizive do të hapeshin për të. Apo do ta shohim sërish të shprehet kalimthi për mikrofonin e ndonjë gazetari tjetër të ri, që as nuk e ka idenë e ekskluzivitetit që ka në dorë.

Copyright Anabel.al