Kanë kaluar pak më shumë se dy javë kur rasti i 23-vjeçarit nga Bajza e Malësisë së Madhe, ish-përdoruesi i heroinës, tronditi mbarë audiencën me historinë e tij. Sot, ai fatmirësisht duket të ketë lënë gjithë episodet e errëta të jetës së tij pas dhe vazhdon jetën normalisht duke u përpjekur për veten dhe për mbarëvajtjen e familjes.
Kjo falë motrës së tij Albina e cila bëri publik rastin dhe ndihmën e çmuar të dhënë nga stafi i së Dielës Shqiptare, me në krye drejtuesin e emisionit Ardit Gjebrea, i cili premtoi t’i gjente një punë Pjetrit në Shkodër dhe të ndihmonte babain e tij të sëmurë.
Në emrin e familjes të së Dielës Shqiptare, Ardit Gjebrea deklaroi se do të shkonte personalisht në Shkodër për të gjetur një punë për Pjetrin dhe se do kujdesej për babain e sëmurë të tij.
“Dhe në fakt nuk pati nevojë fare që unë të vija në Shkodër sepse menjëherë pas programit më vjen një telefonatë, nga zoti Mark Molla, administrator i Kanalizimeve dhe Ujësjellësit në Shkodër. Ai u tregua i gatshëm që ta punësonte Pjetrin, dhe unë e falënderova pa fund, ai që ditën e nesërme u paraqit në punë dhe filloi punën. Nuk erdha në Shkodër ashtu siç premtova për t’i gjetur punë Pjetrit, por nuk mund të mos vija në Shkodër për të falënderuar zotin Mark për gatishmërinë e tij dhe që bëri të mundur të plotësonim këtë premtim që dhamë në programin tonë”.
Gjebrea udhëtoi për në Shkodër për të falenderuar zotin Molla dhe njëkohësisht për të takuar Pjetrin dhe për ta pyetur nëse është i kënaqur me punën e re. Bashkë me zotin Molla ata nisen për ta takuar dhe gjejnë Pjetrin në vendin e punës së tij, shumë i përfshirë në rolin e tij si ndihmës hidraulik në një ditë të zakonshme pune.
“Punët ecin mirë, me stafin jam i kënaqur. Janë njerëz të mirë të gjithë dhe unë vij në punë me qejf”. Orari është 8 me 16, por unë vij 5 minuta para pasi jam shumë i angazhuar në punë, kur mbaroj shkoj drejt e në shpi”, tha Pjetri kur Gjebrea i drejtoi mikrofonin.
Gjebrea: “Unë pasnesër kam lënë takim me babin tënd, kështu që ta çojmë deri në fund gjithçka çfarë thamë në program”.
Pasi bënë një foto me të gjithë punonjësit e stafit, ata lanë Pjetrin të vazhdonte i qetë punën ndërkohë që Gjebrea dhe stafi i së Dielës Shqiptare vazhduan misionin e tyre për të çuar deri në fund edhe premtimin e dhënë për babain e Pjetrit, Franin.
Ata takohen në një spital privat ku Ardit Gjebrea i ka mundësuar atij një takim.
Doktori: “Vizita shkoi shumë mirë, bëmë një biopsi uroj që rezultati të jetë negativ”.
U larguan nga spitali, bashkë me Albinën, motrën e Pjetrit e cila ishte edhe iniciatorja e bërjes publike të këtij rasti duke lënë një takim tjetër pas 10 ditësh për të ndjekur hap pas hapi gjendjen shëndetësore të Franit.
Burimi: Tv Klan