E PABESUESHME/ Gruaja lindi 24 orë pasi mori vesh që ishte shtatzënë – AlpeGossip
E PABESUESHME/ Gruaja lindi 24 orë pasi mori vesh që ishte shtatzënë

E PABESUESHME/ Gruaja lindi 24 orë pasi mori vesh që ishte shtatzënë

Monica Thompson tentonte prej 16 vitesh të mbeste shtatzënë, por pa fat. 46 vjeçe, ajo hoqi dorë nga ëndrra për t’u bërë nënë.

“Ishte shumë e vështirë sepse gjithë shoqet e mia kishin fëmijë, ndërsa unë jo,” tha Thompson për Inside Edition.

Kështu që, kur filloi të kishte dhimbje barku dhe të vjella në tetor të 2018-s, s’e mendoi në asnjë moment se ishte shtatzënë.

“Doktori më pyeti nëse ka ndonjë shans që të jem shtatzënë. Qesha, i thashë s’ka mundësi. Jam shumë e madhe në moshë për të bërë fëmijë. Ndoshta po kaloj menopauzën,” rikujton Monica.

Gjithashtu, Thompson kishte humbur 9 kg si rrjedhim i një ndryshimi në stilin e jetesës. “Po të më shihje, nuk të lindte dyshimi se isha shtatzënë,” tha ajo.

Analizat e gjakut zbuluan se 46-vjeçarja ishte vërtet shtatzënë dhe sipas doktorëve, ishte në javën e 30 (shtatë muajshe e gjysmë).

“Ishte shok total,” shton ajo. “Sikur më goditën në kokë.”

I fejuari i saj, Jason Ratliff – me të cilin u lidh pasi i vdiq bashkëshorti në 2016-n – ngeli gjithashtu pa fjalë. Të nesërmen, Monica u dërgua me urgjencë në spital dhe mori vesh se po lindte. Madje, ishte hapur 5cm.

Djali i saj, Jayden, u lind më 7 tetor me operacion çezarian dhe peshonte 1.5 kg. Foshnja u mbajt në inkubator deri në momentin që mund të mbijetonte jashtë tij.

“Ditën pasi linda m’u desh të telefonoja shefin e ta njoftoja se isha bërë nënë. Atij s’i besohej,” tregon Monica.

Familjarët dhe kolegët iu gjendën pranë nënës së re e i blenë pelena, rroba dhe sende të tjera.

Edhe pse shtatzënia dhe djali – i cili është 11 muajsh sot – ishin të papritura, Monica është e lumtur. Fundja, ka dashur gjithnjë të bëhet nënë. “Ndihem e plotë,” thotë ajo.