Ajo është një nga moderatoret më të ëmbla të ekraneve shqiptare e që me daljen e parë ka fituar zemrën e publikut.
Bëhet fjalë për Alma Celaj, e cila drejton emisionin “Si të vishemi” në ekranin e TV Scan.
Me freskinë e thjeshtësinë që e karakterizon ajo na njeh me të rejat më të fundit nga moda.
Si një moderatore e re në televizon Alma premton shumë për të ardhmen dhe pritet që së shpejti të arrijë majat.
Shumë prej jush me siguri që do dëshironit të dinit më shumë në lidhje me jetën e rrugëtimin e saj në televizon, apo planet e së ardhmes prandaj ne kemi vendosur t’jua shuajmë këtë kuriozitet.
Për AlpeNews.al, Alma ka dhënë një intervistë duke përmbledhur gjithçka duhet të dini.
Intervista e plotë:
Si nisi ëndrra jote për tu bërë pjesë e ekranit?
Kjo gjë më bën të shkoj shumë pas në fëmijëri, ku unë nëse nuk isha duke lexuar, isha e ngulur përpara ekranit të televizorit. Nuk ishte thjesht kureshtja e një fëmije për atë spektaklin që transmetohej, ngjyrat, veshjet, shkëlqimi, por por ishte edhe kureshtja sesi funksionon gjërat pasi atij ekranit të vockël. Dua ta theksoj që gjithmonë më mahniste mënyra sesi prezantueset paraqiteshin, flisnin apo edhe mënyra se si qëndronin ato.
Shumë vite më vonë, pasioni më shtyu që të zgjidhja të studioja për gazetari politike, pavarësisht dëshirës së prindërve për të zgjedhur një “zanat” sipas tyre ndoshta më fitimprurës. E hodha gazetarinë të parën fshehurazi dhe që prej atëherë nuk e kam kthyer më kokën pas deri këtu ku jam sot në profesionin e ëndrrave të fëmijërisë.
Cila ka qenë shtysa më e madhe në jetë?
Familja. E di që mund të tingëlloj si klishe por është përgjigja e parë, instiktive dhe e vërtet që të vjen në mend. Besoj fort që secili nga ne është pasqyrimi familjes që ka. Unë jam rritur në një familje që gjithmonë thuhej se me punë arrihet gjithçka. Ata kanë qënë gjithmonë pranë meje dhe vazhdojnë të jenë. Tani janë edhe krenar dhe kjo më bën vërtet të lumtur.
Duke qenë se drejton një program ku paraqiten tendencat më të fundit të modës. Cila nga figurat e ekranit mendon se vishet më mirë?
Figurat e ekranit në përgjithësi vishen të gjitha mirë sepse gjithmonë pas tyre është një staf që kujdeset dhe secili televizion ka një person përgjegjës për imazhin. Ka patjeter raste ku teprohet në veshje nga figurat e ekranit por kjo ka të bëjë me natyrën e cilido prej nesh, varet çfare ne perceptojmë veshje të gabuar apo veshje te saktë për ekran.
Do doja të shihja më tepër në ekran moderatore që nuk duhet të zhvishen që arrijnë të dëgjohen dhe prezantues meshkuj që te vishen aq mirë sa edhe moderojnë. Ajo që mua më ka pëlqyer më shumë këtë sezon është Alketa Vejsiu.
Alketa ka zgjedhur të ketë një shije delikate femërore në veshje dhe ishte ndër të parat që veshi xhaketën-fustan në ekranet shqiptare. Plus ka një vajzë shumë të talentuar që quhet Livia, e cila i stilon veshje fantastike për këtë sezon televiziv.
Përsa i përket intervistave, cila prej tyre ka qenë më e mira nga ato që ke zhvilluar?
Unë i dua të gjitha intervistat që kam bërë, ndoshta janë vetëm dy vitet e mia të para në këtë profesion apo edhe fakti që unë mësoj nga çdo e ftuar apo i ftuar që kam.
Do të veçoj gjithsesi intervistën me rrobaqëpësin e Dior, Adem Aliju. Ishte vërtet nder ta intervistoja dhe ta dëgjoja se me sa modesti Ademi tregontë qetë se si kishte punuar për gjiganë të modës në botë. Por jam e sigurt që sezoni i ri i “Si të vishemi” sapo ka filluar në Scan Tv kështu që gjëra të bukura na presin dhe plot personazhe interesantë do të sjellim.
Tre gjërat që nuk i dimë për Almën?
A mundem ta quaj të vështirë këtë pyetje? E vështirë të themi sa dimë për njëri tjetrin në këtë epokën e internetit sepse gjithçka po varet nga sa tregojmë ne në rrjetet sociale. Por e kam një përgjigjë edhe për këtë pyetje. Unë i dua shumë filmat dhe sigurohem që çdo ditë ta mbyll duke parë një film të mirë. E dyta unë nuk frekuentoj vendet që janë “must” apo “cool”, jam gjithmonë në kërkim të kafes më të qetë të lagjes dhe e treta, shumë shpejt do të marr një labrador retriever për ta patur mikun më të mirë.
Cilën nga koleget e tua e vlerëson më shumë?
E kam në fakt një emër për kolegen që vlerësoj më fort ose thënë më mirë, moderatoren/gazetare që unë e kam ndjekur që herët. Është Jonida Shehu. Më ka pëlqyer gjithmonë personazhi që ajo zgjedh të jetë në ekran, e fortë, e zgjuar, e bukur. Jonida është e preferuara ime edhe për faktin që ka lëvizur këndshëm në formate të ndryshme. Late night show që ajo ka moderuar përpara 4 vitesh, “Natën vonë” më ka bërë ta dua edhe më shumë si moderatore.
Frymëzoheni nga ndonjëra prej tyre?
Kur vjen puna tek frymëzimi për punën që bëjmë do doja të përmëndja ikonën së pari Oprah Winfrey për mënyrën sesi ka bërë televizon në vitet ‘80 dhe influencën që pati tek njerëzit.
Nuk mund të lë pa përmendur edhe Ellen pasi është si të thuash imazhi më i këndshëm dhe funny në të njëjtën kohë i të drejtuarit formate televizive vitet e fundit.
Momenti më i sikletshëm gjatë realizimit të emisionit?
Momente të sikletshme vërtet ka shumë, pasi për të patur atë produktin final janë shumë faza që duhen kaluar, që nga xhirimi në terren, i ftuari që ndonjeherë mund t’i dalë ndonjë gjë urgjente dhe vonohet etj. Por ka patur një rast ku unë zgjodha që në fokus të emsionit të kisha një vogëlushe bukuroshe 4 vjeccare, Nicol quhej.
Nicol pasi erdhi e qeshur në vendin e xhirimit e shoqëruar nga tezja e saj folëm pak sesi do realizohej puntata dhe nuk kaluan as 30 minuta dhe befas fillon të qaj sepse donte të ikte. Nuk kishim nisur ende të xhironim dhe Nicol na braktisi. Puntata nuk u realizua dhe në fakt kjo na krijoi një situatë të vogël të sikletshme.
Cilin emision do dëshiroje të drejtoje nëse do të jepej mundësia?
“General entertainment” është kategoria e programeve televizive në të cilën unë synoj gjithmonë të jem pjesë. Nuk dua të zgjedh një format shqiptar e të them që do doja ta bëja këtë sepse aktualisht jam duke drejtuar një format që e dua. Por synimi është që me kalimin e kohës dhe me fitimin e pjekurisë së duhur profesionale do doja shumë të drejtoja një format “late night show”.
Planet e tua për të ardhmen?
“Anything you can imagine you can create” ka thënë Oprah. Ky është plani im i së ardhmes.
Përgatiti: AlpeNews.al