FESTIVALI I PARË I KËNGËS NË RTK/ La Fazani rrëmben trofeun – AlpeGossip
FESTIVALI I PARË I KËNGËS NË RTK/ La Fazani rrëmben trofeun

FESTIVALI I PARË I KËNGËS NË RTK/ La Fazani rrëmben trofeun

Këngëtari La Fazani me “Oj Kosovë” është shpallur fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.

Ai triumfoi mes 10 finalistëve, të cilët u ngjitën në skenë në natën e tretë të Festivalit, teksa vendi i dytë i takoi “Angus Dei” me këngën “Një zemër për dy”.

Juria, me kryetare Alma Bektashin dhe anëtarë, këngëtaren suedeze Ulja Sjostrom, kompozitorin Adi Hila, këngëtarin Alban Nimani dhe artisten e arteve pamore, Zake Prevulaj, vlerësuan vokalin dhe performancën e “La Fazanit”.

Trofeu i këtij edicioni u nda nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Çmimi me simbolikën e Kosovës u punua nga Arbenitë Shala dhe Zana Ramadani. Një dhuratë e veçantë për fituesin ishte edhe medaljoni me shqiponjën e flamurit shqiptar, e punuar me 500 diamante.

Nata e tretë e festivalit solli performanca të veçanta dhe ishte e mbushur me emocione për publikun. Ajo erdhi në prezantimin e Adi Krastës, Besim Dinës dhe aktores Edona Reshitaj.

Në edicionin e parë të këtij festivali garuan 18 artistë.

Festivali u transmetua drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Kosovës, Radiotelevizionin Shqiptar dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut.