FTESA E “PËR’PUTHEN” DHE KËNGA E PËRBASHKËT/ Detaje nga tentativa e Donaldit për ribashkim me Borën, çfarë po ndodh me dyshen – AlpeGossip
FTESA E “PËR’PUTHEN” DHE KËNGA E PËRBASHKËT/ Detaje nga tentativa e Donaldit për ribashkim me Borën, çfarë po ndodh me dyshen

FTESA E “PËR’PUTHEN” DHE KËNGA E PËRBASHKËT/ Detaje nga tentativa e Donaldit për ribashkim me Borën, çfarë po ndodh me dyshen

“Uroj që Bora të shkrijë”, ishte kjo fjalia që zbuloi për herë të parë faktin se Donaldi ishte penduar për gjithçka që ndodhi në “Big Brother” dhe i kishte kërkuar falje Borës. Kaq mjaftoi që fansat të kthenin edhe njëherë sytë nga çdo detaj i kësaj dysheje. Por teksa aktori pret që ish-e dashura ta falë, ai ka vijuar me projektet e tij, aty ku i la pas përfundimit të reality show-t.

Bëhet me dije se Donaldi dhe vëllai i tij binjak, Romeo, do të nisin emisionin e tyre në “Top Channel”.Por veç mundësisë në karrierë, kjo është një mundësi edhe për të qenë më pranë Borës, duke qenë se tashmë janë kolegë pune. “Panorama Plus” ka mësuar se Donaldi mund të jetë një prej opinionistëve në Prime të “Përputhen”. Ndonëse ish-banorit të “Big Brother” i ka shkuar festa, mbetet për t’u parë nëse Bora do të jetë dakord të jetë përballë ish-të dashurit të saj në emisionin që ajo drejton. Tashmë duket se të gjithë miqtë dhe të njohurit e tyre po ndërhyjnë që dyshja të ribashkohet.

Vëllai i Borës do të bashkëpunojë ngushtë me dy vëllezërit në emisionin që ata do të bëjnë së shpejti. Ai dhe Donaldi vijojnë të ruajnë marrëdhënie të mira, pavarësisht gjithçkaje që ndodhi. Nga ana tjetër, aktori është shfaqur shumë shpejt me konkurrentët e “Përputhen”, duke mos i fshehur edhe mes tyre deklaratat e dashurisë për Borën. Pak ditë më parë, konkurrenti i “Për’puthen”, Samiu, postoi një foto krah tij. Ata shfaqeshin të buzëqeshur dhe në mbishkrimin e fotos, Samiu vendosi emoji-n e Borës. Në foton e publikuar nga “Panorama Plus”, ku dy vëllezërit shfaqeshin në ambientet e “Top Medias”, nuk mungonin as konkurrentët e “Përputhen”.

Burime bëjnë me dije se aktori i ka kërkuar t’i bëjë të fala Borës. Nën shoqërinë e të vëllait, Romeos, dhe njerëzve të tjerë që kanë qenë pranë tyre, ish-banori i “Big Brother VIP” nuk ka ngurruar t’ia kërkojë këtë “nder” Samiut, për të cilin nuk ka dyshime se do ta mbajë fjalën. Ndërkohë që të gjithë presim që çifti të ribashkohet, një tjetër lajm qarkulloi në media. Bora dhe Donaldi pritet të publikojnë duetin e tyre të parë muzikor dhe burimet bëjnë me dije se të dy janë parë shpesh në studion e Elgit Dodës. Donaldi duket se e ka marrë seriozisht. Megjithatë, ajo që ne kemi mundur të mësojmë është fakti se Donaldi e ka mësuar tashmë këngën dhe e ka kënduar, ndërkohë Bora ende nuk ka pranuar që të vijë në bashkëpunim me ish-partnerin e saj.

Duket se të gjithë njerëzit e afërm të aktorit janë angazhuar që të sjellin edhe njëherë Borën pranë tij, por moderatorja vijon ‘mos të shkrijë’. Që pas daljes nga “Big Brother”, Bora dhe Donaldi janë takuar në mënyrë të fshehtë me njëri-tjetrin, por ende nuk janë rikthyer bashkë. Tashmë që do të jenë kolegë pune, Donaldi ka një mundësi më shumë për të fituar edhe njëherë zemrën e Borës. Projekti i dy vëllezërve do të vijë me disa ndryshime nga çfarë u përfol në fillim. Ky emision atij iu ofrua që kur ishte në “Big Brother VIP”.

Asokohe Romeo e surprizoi nga studio e emisionit që ishte thuajse gati teksa ai kishte realizuar promon e po ashtu kishte menduar edhe për emrin: “Më lër të flas”, që është edhe një nga “batutat” më të njohura të Donaldit nga reality-show i famshëm. Sa herë që debatonte me Ilirin, aktori i kërkonte me nervozizëm ta linte të fliste, duke përsëritur gjatë gjithë kohës: “Më li të flas”. Mirëpo, pas mbarimit të formatit, fituesi, i cili u shpall Ilir Shaqiri, u tha se dy vëllezërit janë përplasur me produksionin. Si për t’i hedhur ujë zjarrit, ata hoqën nga rrjetet sociale promon dhe Donaldi nuk mori pjesë në “Post Big Brother VIP”. Gjërat duket se morën një rrjedhë tjetër pak ditë më pas, kur ata u shfaqën në festën private me produksionin, ish-banorët dhe punonjësit e edicionit të parë të “Big Brother VIP”.

Nga ana tjetër, Beatrix duket se po korr shumë sukses me këngën që i dedikoi Donaldit. Beatrix Ramosaj foli për herë të parë për lidhjen e saj me Donaldin. Vetëm se reagimi i saj erdhi me një këngë. Këngëtarja publikoi bashkëpunimin e saj me Dj Geek, që titullohet “Ma shumë se ti”. Duket se teksti është i dedikuar për ish-partnerin e saj. Por ndonëse marrëdhënia me Donaldin dështoi shumë shpejt, duket se këngëtarja po prek suksesin me projektin e fundit që u shndërrua menjëherë në hit. Kur nuk ishin mbushur ende 24 orë nga publikimi i këngës, “Ma shumë se ti” numëron mbi 400 mijë klikime në “You Tube”.

Por veçmas suksesit, ajo që bie në sy është fakti që të gjitha komentet janë pozitive dhe mbështetëse për të. Më shumë se 1200 komente kanë shkuar për të dhe të gjithë e kanë mbështetur si për këngën, ashtu dhe për raportin e saj me Donaldin. Shumë nga fansat e saj nuk i kanë kursyer edhe ironitë për aktorin. “Si i thonë legen në shqip”, është një ndër komentet drejtuar për Beatrix. Kujtojmë se kur artistja la shtëpinë e “Big Brother”, komentet negative e detyruan atë të qëndronte larg vëmendjes së mediave.

Megjithatë, me kalimin e kohës, opinioni publik ka ndryshuar mendim, duke i dhënë mbështetje Trixës. Teksa e kanë komplimentuar për tekstin, që edhe sipas komentuesve ishte një dedikim për Donaldin, fansat e kanë uruar për këtë rikthim në muzikë, duke lënë në harresë, këngën që ai publikoi kur doli nga “Big Brother”, ku fliste për lidhjen e krijuar brenda në shtëpi. Duket se tashmë telenovela e tyre është zhvendosur në një tjetër pikë. Tashmë të gjithë sytë janë nga Bora Zemani, për të parë nëse do ta falë tradhtinë publike të Donaldit, duke lënë pas gjithçka, për ta nisur edhe njëherë lidhjen aty ku e lanë brenda “Big Brother”. /Panorama Plus