Një gjykatë në Mianmar ka dënuar dy gazetarë të Reuters me 7 vite burg për shkeljen e një akti të sekreteve shtetërore gjatë hetimit të dhunës kundër Rohingyas.
Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo u arrestuan ndërkohë që mbanin dokumente zyrtare të cilat sapo u ishin dhënë nga oficerët e policisë.
Ata kanë kërkuar pafajësinë duke thënë se gjërat janë planifikuar nga policia.
Ky rast është një provë e cënimit të lirisë së shtypit në Mianmar.
“Nuk kam frikë,”-tha Wa Lone, një nga dy gazetarët, pas vendimit. “Unë nuk kam bërë asgjë të gabuar, besoj në drejtësi, demokraci dhe liri”.
Dy gazetarët ndodhen në burg që nga arrestimi i tyre në dhjetor 2017.
“Sot është një ditë e trishtuar për Mianmarin, gazetarët Reuters Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo, dhe lirinë e shtypit kudo,”-tha kryeredaktori Reuters, Stephen Adler.
Gjyqtari Ye Lëin tha në gjykatë në Yangon se gazetarët kishin për qëllim të dëmtonin interesat e shtetit.
“Dhe ata janë shpallur fajtorë nën aktin e sekreteve shtetërore,”-tha ai.
Wa Lone, 32 vjeç dhe Kyaë Soe Oo, 28 vjeç, po mblidhin dëshmi për ekzekutimin e 10 burrave nga ushtria në fshatin Inn Din në Rakhinë e veriut.
Gjatë hetimeve të tyre, u ofruan dokumente nga dy oficerë policie, por u arrestuan menjëherë pas kësaj për posedimin e këtyre dokumenteve.
Autoritetet më vonë filluan hetimin e tyre në vrasjet, duke konfirmuar masakrën dhe duke premtuar të ndërmarrin veprime kundër atyre që kishin marrë pjesë.