Gazetarja rrotulloi sytë gjithë ironi ndaj koleges dhe tani s’gjendet kurrkund (VIDEO) – AlpeGossip
Gazetarja rrotulloi sytë gjithë ironi ndaj koleges dhe tani s’gjendet kurrkund (VIDEO)

Gazetarja rrotulloi sytë gjithë ironi ndaj koleges dhe tani s’gjendet kurrkund (VIDEO)

Gruaja në foto veshur me xhaketë blu quhet Liang Xiangyi. Gjatë Kongresit Kombëtar në Kinë të martën, ajo ndodhej pranë koleges së saj, Zhang Huiqun, e cila po bën një pyetje të gjatë, të parëndësishme dhe servilosëse.

Liang mendoi se veprimi ishte qesharak dhe shihet në video duke rrotulluar sytë, duke rrudhur ballin e duke parë shtrembër kolegen. Videoja u bë virale dhe imazhi i saj është kthyer tashmë në meme. Çdo gjë mirë deri këtu, vetëm se Liang nuk gjendet kund.

 

Nga publiku i gjerë, reagimi i saj u pa si shprehi acarimi ndaj koleges. Nga autoritetet kineze ama, u pa si një përpjekje armiqësore për të shkaktuar përçarje në strukturën politike kineze dhe në axhendën e Kongresit.

Gazetarja që pyet, Zhang, foli për plot 47 sekonda. Kohë që Liang-ut iu duk e patolerueshme. Pyetja kishte të bënte me projektet ambicioze të infrastrukturës në Kinë dhe mbikqyrjen e aseteve jashtë shtetit. Në momentin e transmetimit të ndodhisë, shefi i Liang kërkoi largimin e saj të menjëhershëm nga eventi dhe shpjegim të hollësishëm për ç’ndodhi.

Media për të cilën ajo punonte, Shanghai Media Group, insiston se nuk e njohin. Celulari i Liang është i paarritshëm që prej të martës. Në internet qarkullon një screenshot të mesazheve që ajo ka këmbyer me miqtë gjatë këtyre ditëve, por sidoqoftë, asnjë nga rrjetet e saj sociale s’është përditësuar që prej të hënës së kaluar.

Liang, e cila besohet të jetë rreth tridhjetë vjeçe, njihet si njeri i drejtpërdrejtë dhe arrogant.

Willy Lam, ekspert i shkencave politike në Universitetin Kinez të Hong Kong, beson se qeveria po i mbyll gojën Liang. E kanë larguar nga sfera publike dhe nga mjetet e komunikimit, të paktën deri në përfundim të Kongresit.

Fama e fituar në internet do ta mbrojë nga dënimet serioze, shpjegon Lam. Një tjetër ekspert në Kinë, thotë se Liang do të pushohet pa dyshim, është thjesht punë kohe.

Përshtatur nga The Times