HABIT Ermal Meta: Nuk donim të merrnim pjesë në Sanremo! – AlpeGossip
HABIT Ermal Meta: Nuk donim të merrnim pjesë në Sanremo!

HABIT Ermal Meta: Nuk donim të merrnim pjesë në Sanremo!

Vetëm pak kohë pasi triumfoi në Festivalin e Sanremos në bashkëpunim me Fabrizio Moron, Ermal Meta rikthehet të flasë mbi suksesin e tij për një emision radiofonik italian.
Kantautori me origjinë shqiptare flet në mënyrë të zgjeruar mbi suksesin në skenën e Teatrit “Ariston” me këngën “Non mi avete fatto niente” dhe albumin e ri “Non abbiamo armi”, që do të prezantohet për herë të parë “live” më 28 prill në Forumin “Mediolanum” të Assagos në Milano, biletat për të cilin janë shitur të gjitha.

Biseda ka nisur me të qeshura të mëdha e disa batuta mbi lajmet e fundit “gossip” ku është përfshirë edhe vet Ermali, pikërisht për një marrëdhënie të supozuar romantike me Fabrizio Moron. Por, diskutimi mbi këtë çështje kalon me një të qeshur të madhe dhe një batutë: Jemi ndarë. Me Fabrizion ishte një histori e përfunduar qysh në nisje!
Sanremo i vitit 2018 do të mbahet mend edhe për debatin që shkaktoi kënga “Non mi avette fatto niente”, që mes natës së parë dhe të tretë të festivalit u bë objekt mediatik për një plagjiaturë të supozuar.

“Përfundimisht është shumë argëtuese të jesh në Sanremo. Kjo sepse kur ndodhin gjëra të pakëndshme, bëhet pak argëtues”, shpjegon Meta, përpara se të futet në detaje.

“Unë, Fabrizio dhe Andrea Febo e kemi shkruar këtë këngë, që pati një pjesëz të ngjashme me një tekst të shkruar më herët nga Febo. Kjo është diçka që ndodh rregullisht, pasi të gjithë autorët e bëjnë miliona herë. Por, sigurisht, në një vend si Sanremo, ku çdo lajm bëhet më i madh sesa duhet realisht, u bë një objekt diskutimi i jashtëzakonshëm”, thotë këngëtari fierak.

Duke folur pikërisht për këngën, Ermali shpjegon se cila ishte “receta” fituese.
“Është fakti që teksti vjen me një këngë të lehtë. Kur bën një tekst me një gjatësi të konsiderueshme, që mund të rezultojë disi i rëndë, nëse e shoqëron me një muzikë zhurmuese, me mbi 80 bite për minutë, atëherë bëhet diçka e rëndë. Ka disa këngë të lehta shumë të bukura, por e mira është që të mos i bashkojmë këto dy gjëra”, thotë këngëtari Meta.

E për këtë duket se i ka marrë “leksionet” që nga edicioni i 2017-s.
“E eksperimentova vitin e kaluar me ‘Vietato morire’. Nëse do të kisha garuar me një baladë, kënga do të ishte e padurueshme. Tekstualisht, kënga ‘Non mi avette fatto niente’ i preku njerëzit. Gjërat e përshkruara janë gjëra që i kemi thuajse të gjithë përpara syve, ndaj donim që të çlironim frikën”.
Fillimisht, megjithatë, duket se këngëtari nuk e ka pasur si synim pjesëmarrjen në Festivalin e Sanremos.

“Nuk kishim objektiv të shkonim në Sanremo, sepse sapo e kishim bërë këngën. Por ajo ra në veshët e Claudio Baglionit dhe na telefonoi. Ndaj vendosëm t’i jepnim një mundësi më shumë kësaj kënge. E si mund t’i thuash jo Baglionit? Pastaj ai të qëllon e të bën për të qarë”, shprehet duke qeshur kantautori.
Pas shumë suksesesh e vlerësimesh në vitet e kaluara, më në fund erdhi edhe një sukses në Sanremo, që vendos muzikën në qendër të gjithçkaje.

 

“Duket si një vazhdimësi – komenton Meta. – Edhe vitin e kaluar pata këtë ndjenjë me Carlo Contin, por këtë vit lidhja me artistët e tjerë ishte ndryshe, ishte më shumë argëtuese. Ekzistonte një klimë tjetër, thuajse aspak garë dhe konkurrencë”. E duket se kështu ka qenë, duke parë se edhe kolegët e tjerë konkurrentë u hodhën në krah të tij dhe Fabrizio Moros, pas shpërthimit të skandalit të plagjiaturës.

“Non abbiamo armi” është një titull shumë aktual, mbi të gjitha pas ngjarjeve të fundit në Shtetet e Bashkuara dhe polemikës mbi shitjen e armëve të zjarrit.
“Në nëntor isha për të kënduar në Miami dhe nuk jam ndierë kurrë më i pasigurtë në rrugë. Më dukej se, sa herë që merrja frymë mbante era pasiguri. Kishte më shumë armë sesa persona. Edhe pse nuk e shihje këtë gjë, e perceptoje”, rrëfen Ermal Meta.
Në realitet, koncepti i armës së pranishme në titull është tërësisht metaforik. “I gjithë albumi flet për daljen komplet nudo. Mburoja e vetme që kemi është ajo që mundemi të provojmë, emocionet që na bëjnë të mbrohemi. Ajo që posedojmë realisht është pikërisht ajo që mundemi t’u japim të tjerëve. Është një mënyrë metaforike për t’u zhveshur. Edhe kopertina e albumit këtë tregon”.

 

Por, a është fitorja e një artisti me origjinë shqiptare, që jeton prej 24 vitesh në Itali, një sinjal ndryshimi për Italinë?
“Nuk e di në është sinjal i këtij lloji apo ndonjë lloji tjetër. E sigurtë është se shoqëria moderne është e ndryshme nga ajo që shumëkush mund ta imagjinojë”, thotë Meta, duke shtuar se sipas tij, muzika për fat të mirë nuk kërkon pasaporta dhe nuk njeh kufij, kështu që mund të jetë mjeti i duhur për këtë transformim të shoqërisë.

Top Channel