Disa vite më parë nëna e motrave Ismaili, Mona u nda nga jeta në moshë të re. Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë që fatkeqësisht i mori jetën.
Këtë të Shtunë janë bërë 4 vite që nga humbja e saj dhe këngëtarja e njohur Adelina Ismaili ka shkruar për të dedikimin më prekës. Ajo shkruan se asnjëherë nuk ka folur për dhimbjen që i ka lënë në shpirt ikja e saj sepse nuk di si ta shpjegojë diçka që nuk mbaron kurrë.
“Kurrë nuk kam folur për dhimbjen që e kam për ty se jam frikësuar se mos do i dridh shtatë qiej e tokën nëse e lë dhimbjen të dalë. Ata qiej ku më ke mësuar të fluturoj e këtë tokë që më ke mësuar t’i kthehem. E këta njerëz që më ke mësuar t’i dua. E këtë jetë që po e mësoj pa ty. Si mund ta shpjegoj diçka që nuk mbaron kurrë?
Sa shpirtin të du e nuk ka çast që nuk të kërkoj. Krejt çka ke dashur nuk e kam bërë se nuk janë sytë e tu për të më parë. Më pak dhimbje kisha ndjerë nëse do më kishe lënë kujtime pa krenari. Ti më ke lënë rrugën e shtruar me dashuri e mburrje edhe për shumë jetë. E dy ëngjujt që veç të mirën e njohur. Përjetësisht puth edhe tokën ku ti ke ecur mami”, ka shkruar Adelina.