Julka Gramo ishte e ftuara e ditës së sotme bashkë me 2 djemtë e saj, në emisionin e pasdites në Tv Klan, ku rrëfeu disa detaje nga lidhja 17-vjeçare me DJ e njohur Andi Gramo.
Julka tregoi se lidhja e tyre ishte e gjatë dhe disa herë Andi i kërkonte për t’u martuar, pa u kujdesur për ndonjë propozim si nëpër filma.
“Më thoshte që po ne kur do martohemi, por unë dëshiroja një propozim emocionues, mundësisht me tollumbace në qiell, me ndonjë avion që kalonte e gjëra të kësaj natyre”, tha ajo me humor.
Sigurisht që Andi s’kishte si të mos e propozonte Julkën në një moment të veçantë, atëherë kur asaj nuk ia priste mendja.
“Ishte festa e ditëlindjes sime dhe Andi ndodhej jashtë në koncerte. Më thoshte që nuk kishte mundësi të vinte për shkak të biletave. Nuk u mërzita, përkundrazi i thashë që mund ta festonim ditëlindjen time kur të vinte ai. Por në fakt, Andi kishte organizuar gjithçka. Ishte një festë me njerëzit tanë të afërt, kur krej papritur shfaqet ai. Fjalët që më tha, retrospektiva e lidhjes sonë, më emocionua aq shumë sa harrova t’i thoja ‘Po!’. Por ia doli të më surprizonte.”
Julka dhe Andi janë prindër të dy djemve, Ian dhe Greg. Andi i është përkushtuar krejtësisht muzikës përmes projekteve të suksesshme, ndërsa Julkën për momentin po e shohim në rolin e moderatores. Ajo drejton programin “You&Me” në Energy Radio Albania dhe “Pasditja ime” në TVSH.