Këngët që kanë qenë (janë) gjithmonë pjesë e festave shqiptare por që asnjë nuk ua kupton tekstin – AlpeGossip
Këngët që kanë qenë (janë) gjithmonë pjesë e festave shqiptare por që asnjë nuk ua kupton tekstin

Këngët që kanë qenë (janë) gjithmonë pjesë e festave shqiptare por që asnjë nuk ua kupton tekstin

Si çdo njeri në këtë botë, edhe ne shqiptarët e duam shumë muzikën. Shumë prej nesh janë të apasionuar pas muzikës së huaj madje edhe pas atyre që nuk i kuptojmë fare se ç’thonë apo se çfarë shqiptojnë. Ka disa këngë që i kemi kënduar për vite me rradhë në festat që kemi zhvilluar, si të çmendur, madje me brohorimë të madhe kemi “kënduar” tekstet që në fakt u dinim vetëm zanoret.

Besojmë se shumë prej jush do ta gjejnë veten në këtë artikull pasi çdo shqiptari i ka ndodhur të paktën njëherë në jetën e tij të këndoj njërën prej tyre. Sot i kemi dëgjuar të gjitha në ambjentin e punës dhe u habitëm që dinim aq mirë se kur fillonte të këndonte këngëtari/ këngëtarja por s’kishim pikën e idesë se çfarë thuhej ndërkohë në tekst.

“Çik Çik çik pogodi…” ka qenë një nga këngët që ka çmendur shqiptarët vite më parë. Edhe pse nuk kuptonin asnjë fjalë të tekstit çuditërisht çdokush e kishte këtë këngë në kasetë apo CD. Në fakt për të gjithë ju që nuk e dini flet për një vajzë që i kërkon të dashurit të saj t’i blejë bizhuteri të shtrenjta dhe çdo gjë që ajo kërkon. Kujt ia merrte mendja!

“Agapo agapo mia picirika, ine tre-ine trela ine glika” ok, deri këtu e dimë të gjithë, që është një këngë që i këndohet picirikës por vetëm kaq. Ka shumë që edhe sot kur e dëgjojnë e këndojnëdhe ende nuk e dinë tekstin që fshihet pas saj. E dini kuptimin ? Një mashkull është çmendurisht i dashuruar pas një vajze të vogël e që i jep asaj çdo gjë që ajo kërkon, ndryshe do të sëmuret nga dashuria.

“Migena-gena-gena”, është kënga që po dëgjohet pafund kohët e fundit. Në fakt titullin e ka “Mi GNA” por ne na pëlqen ta këndojmë më shumë kështu. Në fakt ajo që ne na duket si këngë e gëzueshme, flet për një dashuri të dhimbshme, një cift të ndarë (hajde merre vesh domethënë).

“Hajde Male çokollata çikita ciki-çiki-çikita”, nuk ka shqiptar që nuk e ka dëgjuar këtë këngë, që nuk ka munguar madje as në dasmat shqiptare. Le të themi se mesazhin e kemi marrë; çokollatë, e ëmbël, djali i këndon një vajze duke e krahasuar me çokollatën.

 

“To(i)pe to(i)pe o papagalos” – ok nuk është këngë turpi edhe pse të gjithë deri në një kohë kanë menduar kështu. Thjesht tregon se një burrë ka zbuluar tradhëtinë e gruas përmes papagallit.

“Made in Romania” ka shumë versione në gjuhë të ndryshme por origjinali mbetet gjithnjë shumë interesant. Në fakt ky djali i vogël është duke i kënduar shoqërisë, muzikës, duke promovuar gjatë gjithë kohës veten dhe babain e tij, (unë jam i biri i filan fistekut).

Bashkëpunimi i Sabianit dhe Katias mund të themi se është dëgjuar shumë (njëherë e një kohë). Po askush nuk e zbuloi kurrë se çfarë donte të thoshte Katia në pjesën e saj.

“Kiss kiss” nga Tarkan dhe ajo puthja në fund kanë qenë gjërat që të gjitha ne vajzat bënim kur dëgjonim këtë këngë e cila sigurisht fliste për dashurinë por askush nuk arrinte ta përkthente (nuk kishte telenovela turke atëherë në Shqipëri).