KËRCËNON TË DASHURIN/ Nëse do ndahemi do të…. – AlpeGossip
KËRCËNON TË DASHURIN/ Nëse do ndahemi do të….

KËRCËNON TË DASHURIN/ Nëse do ndahemi do të….

Shpesherë më flet për si do të vetëvritet dhe më tregon gjithë planin me detaje. Plani, gjithmonë nis me ndarjen nga unë.

Si pjesë e një rubrike të përjavshme në Anabel, letërshkruesit tanë do të na flasin për problemet e tyre dhe ne do t’i diskutojmë me psikologen Imo Alikaj. Letra e kësaj jave ka protagonist një djalë, i cili nuk e do më të dashurën e tij, por s’merr dot guximin të ndahet sepse ajo e kërcënon me vetëvrasje.

Gjendem në një situatë shumë të vështirë. Kam tre vite i lidhur me të dashurën time momentale. Ajo ka vuajtur tërë jetën nga depresioni dhe kur e njoha, kishte një lloj trishtimi të ëmbël në sy që më bëri për vete. Ishim shumë të dashuruar, kalonim mirë bashkë deri në një moment që diçka krisi pak muaj më parë. Aty kuptova që gjërat mes nesh nuk do të funksionin kurrë, lidhja jonë s’kishte të ardhme dhe realisht nuk ndjeja asgjë veçse mirënjohje dhe respekt për të. Ajo e ka ndjerë këtë largim timin dhe më flet shpesh për sa keq ndihet, sa shumë do të vdesë dhe më thotë se e vetmja arsye pse është gjallë, jam unë. Shpesherë më flet për si do të vetëvritet dhe më tregon gjithë planin me detaje. Plani, gjithmonë nis me ndarjen nga unë. Jam i trembur dhe në pozitën më të vështirë të jetës sime. Unë nuk e dua më dhe më duket sikur s’do të largohem dot kurrë. Sikur kam ngecur në një marrëdhënie pa jetë, për hir të saj. Nëse e marr guximin dhe e lë, dhe ajo bën ç’ka premtuar të bëjë, do të kem peshën e vdekjes së saj mbi supe. Nuk di ç’të bëj dhe nuk mund të shtirem sikur jam i lumtur krah saj për shumë kohë. Më ndihmoni.

 

Përgjigjia:

Ndodheni në një situatë shumë të vështirë, duke qenë se veç përgjegjësive dhe ndjenjave të fajit që ju ndjeni për të dashurën tuaj aktuale (siç ju e quani), shpreheni se së fundi ndjeni vetëm mirënjohje dhe respekt për të. Sigurisht që nuk mund të shtireni sikur jeni i lumtur për shumë kohë kur në fakt nuk jeni. Por, edhe nëse do ta provonit ta bënit këtë gjë, a mendoni se do ia vlente? A mendoni se duke u “vetëmohuar” do të keni gjetur zgjidhjen e duhur për vajzën? Po flas për vajzën, sepse apriori ju nuk keni pse sakrifikoni veten tuaj dhe shoh që edhe ju vetë jeni në dijeni për këtë gjë. Jam e sigurt që nëse mendoheni gjatë do ta kuptoni edhe vetë që ky nuk është vendimi më i mirë edhe për të.

Ju thoni që ajo ka vuajtur gjithë jetën nga depresioni. A është e diagnostikuar vajza dhe a trajtohet ajo? Sidoqoftë, ju jeni në dijeni që edhe të qenit bashkë, nuk e ka ndihmuar atë të dalë nga kjo gjendje. Dhe unë dua t’ju ftoj të mendoni sa gjasa ka që nëse ju vendosni të rrini bashkë, vetëm sepse ajo iu tregon që do vetëvritet, ajo do ta superojë këtë gjendje? A nuk do të mendonit edhe ju që ajo vazhdimisht do jetë nën frikën se ju një ditë do largoheni?

Pra, dua t’ju them që po, është e vërtet që njerëzit që vuajnë nga depresioni kanë një rrezik shumë të lartë të kryejnë vetëvrasje, por në shumicën e herëve ata nuk e thonë kaq hapur këtë gjë dhe nuk i tregojnë me detaje planet e tyre. Shpesh herë ata nuk preferojnë të flasin për vdekjen, i shmangin këto biseda, kërkojnë vazhdimisht të ikin, shpesh herë thonë fraza sikur janë duke ju dhënë lamtumirën. Ndërkohë që e dashura juaj ua thotë me detaje planet e saj; duket më shumë si një manipulim apo si një mjet për tiu mbajtur pranë vetes, sepse ajo e di që nëse ju largoheni do të jetë më e trishtuar.

E megjithatë, me këtë nuk dua të them me siguri që nëse ju ndaheni, ajo nuk do ta finalizojë planin e saj, absolutisht.

Ju përgëzoj që kërkoni një ndihmë apo një këshillë më të specializuar për veprimin që duhet të bëni në gjendjen ku ndodheni, ashtu siç edhe ju inkurajoj të mos braktisni veten tuaj për të dashurën tuaj.

Situata është kritike! Ka 3 mundësi veprimi.

Nxiteni të dashurën tuaj për të kërkuar ndihmën e një profesionisti të shëndetit mendor ose një ekspert që merret me fushën e depresionit duke i thënë që nuk zgjidhim gjë duke u dorëzuar në dëshirën për të mos qenë më në këtë jetë. Ajo me siguri do të hezitojë për ta pranuar këshillën tuaj, kështu që ju duhet të këmbëngulni vazhdimisht. Nëse vajza refuzon të kërkojë ndihmë në mënyrë kategorike, kontaktoni ju një psikolog për t’ju dhënë juve udhëzime se si ta ndihmoni atë për të hequr dorë nga ky plan. Dhe mundësia e tretë është të filloni një terapi në çift për të punuar mbi ndarjen. Kërkojni të dashurës suaj të shkoni te një terapist, duke qenë se edhe ju e ndjeni që diçka nuk po shkon në lidhjen tuaj dhe se doni që të bëhet më e mira për të dy ju. Këmbëngulni që të ndodh të paktën njëra nga të treja këto mundësitë sa më shpejt, kështu edhe ju do të ndjeni çlirim sa më parë.

Uroj ta zgjidhni sa më shpejt situatën ku ndodheni.