Një vajzë 4-vjeçare është gjetur e pajetë të hënën në provincën turke të Agri, jo larg vendit ku është parë për herë të fundit 18 ditë më parë. Guvernatori i Provincës, Suleyman Elban tha të martën se sipas të dhënave paraprake vogëlushja ka vdekur si pasojë e urisë, pasi në trup nuk ka shenja dhune. E vogla Leyla Aydeir u raportua e humbur më 15 Qershor, pasi sëbashku me familjen kishte shkuar tek gjyshërit në fshatin Bezirhane me rastin e festës së Bajramit.
Për 18 ditë, ekipet e kërkim shpëtimit të mbështetura edhe nga ushtria nuk arritën të sillnin lajmin e mirë për familjen. Trupi i saj i pajetë u gjet të hënën në bregun e një përroi, rreth 3 kilometra larg fshatit ku humbi.
Ministri turk i punëve të Brendshme, Suleyman Soylu këmbënguli të hënën se zona ishte krehur më parë nga forcat e kërkim shpëtimit. “Ne mendojmë se ajo është lënë aty pasi ka vdekur, por duhet të presim për autopsinë”, tha ministri, sipas “Hurriyet”. Por të martën Guvernatori Elban tha se Leyla nuk kishte asnjë shenjë dhune, fizike apo seksuale, në trup, duke rritur dyshimet se ajo kishte vdekur nga uria. Elban tha se megjithatë, një i dyshuar ishte arrestuar pas dyshimeve për rrëmbim të mundshëm.
Përgjatë dy javëve të fundit 4-vjeçarja ka zënë kryetitujt e medias turke, ndërkohë që në këtë periudhë kohore listës së të zhdukurve i janë shtuar edhe 3 fëmijë të tjerë të moshave 6, 14 dhe 15-vjeçare.