Ku të shkojmë këtë fundjavë? Eksplorim në një ndër destinacionet shqiptare më tërheqëse dhe kuruese – AlpeGossip
Ku të shkojmë këtë fundjavë? Eksplorim në një ndër destinacionet shqiptare më tërheqëse dhe kuruese

Ku të shkojmë këtë fundjavë? Eksplorim në një ndër destinacionet shqiptare më tërheqëse dhe kuruese

Çdo fundjavë të gjithë fillojmë të mendojmë se ku do të shkojmë, apo se çfarë do të bëjmë. Duke qenë se moti këtë fundjavë nuk është dhe aq i favorshëm zgjedhja e vendit tonë të preferuar për të kaluar një fundjavë ndryshe është edhe më e vështirë.

Mirëpo duke ju sugjeruar një ndër destinacionet turistike më të bukura shqiptare që mund të vizitohet në çdo kohë.

Bëhet fjalë për Banjat Termale të Bënjës të cilat janë një destinacion turistik që të kënaq syrin me pamjen e mrekullueshme, por edhe tepër kurative.

Ku ndodhen ato?

Banjat Termale të Bënjës ndodhen rreth 14 kilometra larg qytetit të Përmetit. Janë 6 burime të cilat ndodhen në komunën Petran rrëzë shkëmbinjve masivë në të dy anët e Lengaricës, e cili është degë e lumit të Vjosës.

Rruga për të shkuar nëpër këto monumente natyrore është nëpërmjet itinerarit automobilistik Përmet-Petran-Bënjë. Deri në Përmet rruga është relativisht e mirë, ndërsa pjesa tjetër e itinerarit për të shkuar deri tek Banjat Termale të Bënjës nuk është një rrugë shumë e mirë, por që gjithsesi bëhet me makinë.

Çfarë na ofron kjo zonë turistike?

Kjo është një zonë turistike që mbart vlera të shumta kulturore, historike dhe dallohet edhe për vlerat e larta kurative që kanë ujërat e këtij burimi.

Ujërat me bazë sulfurore kanë efekte shumë të larta kuruese nga të cilat 4 burime përdoren për sëmundje kronike reumatizmatike, për sëmundjet e stomakut dhe një tjetër për sëmundjet e lëkurës.

Këto ujëra kanë një temperaturë prej 26-32 ºC dhe kanë filluar të shfrytëzohen nga shteti që në vitet 1664-1975. Aktualisht ato shfrytëzohen në mënyrë të pa-organizuar nga banorë dhe vizitorë të ndryshëm që zgjedhin të pushojnë pranë tyre.

Gjithashtu në këtë zonë ndodhet edhe Burimi i Priftit dhe të gjithë që e vizitojnë këtë zonë njihen me legjendën e famshme të tij. Në zinxhirin e burimeve termale, Burimi i Priftit është më i largëti dhe ndodhet thellë brenda kanionit. Sipas vendasve ai është një burim me vlera universale.

Legjenda e këtij burimi thotë:

Njëherë e një kohë sollën këtu një prift të sëmurë, të mbështjellë kokë e këmbë me batanije, të paralizuar krejtësisht dhe gati duke vdekur nga një dhembje e fortë në stomak. Pa shumë shpresa për të jetuar, priftin e zhytën në ujin e burimit dhe i dhanë të pijë ujë nga burimi. Pas disa ditësh qëndrimi në ujë, prifti u ngrit në këmbë dhe iku në shtëpi me këmbët e tij, krejt i shëruar”.

Gjithashtu kjo zonë turistike njihet dhe për traditat e mëdha në fushën e gastronomisë, për glikotë, mishin, rakinë dhe verën e mrekullueshme.

Çfarë mund të bëjmë këtë fundjavë tek Banjat Termale të Bënjës?

Duke pasur parasysh se temperaturat janë të ulëta dhe normalisht uji i detit është i ftohë dhe të paktë janë ata që do të guxonin të zhyteshin, Banjat Termale të Bënjës janë zgjedhja ideale për të kaluar nja fundjavë relaksuese.

Mund të zhyteni në ujërat e këtyre burimeve, të cilat njihen për vetitë e larta kurative, por gjithashtu mund të zhvilloni edhe sportin e ecjes nëpër shtigjet shumta që ndodhen këtu.

Njohja me vlerat historike dhe kulturore të kësaj zone dhe legjendave që lidhen me krijimin e këtyre burimeve është një mundësi tjetër për një fundjavë ndryshe.

Gjithashtu do të keni mundësinë të shijoni dhe ushqimet e shijshme të kësaj zone.

Çfarë duhet të marrim me vete?

Rrobat e banjës nuk duhet të mungojnë kurrsesi, sikurse edhe veshje më të trasha duke ditur se temperaturat janë të ulëta këto ditë dhe gjatë orëve të mbrëmjes kjo zonë është tepër e freskët.

/icon