Këngëtarja me famë botërore, Adele, ka rrëfyer se gjatë një koncerti të saj në Vegas, ka pasur një infeksion të pakëndshëm të lëkurës.
35-vjeçarja ka thënë se ka patur ‘kruajtje’ pasi ishte djersitur me korsenë Spanx teksa performonte nën dritat e nxehta në The Colosseum në Caesars Palace. E si pasojë lëkura rreth mesit është irrituar dhe i është mbushur me puçrra.
Britanikja rrëfeu se tashmë vuan nga “jock itch”, një infeksion i lëkurës në zonën e ijeve, që prek pjesën e sipërme të kofshëve, të pasmet dhe pjesën e poshtme të barkut.
“Është e qartë se kur kam koncerte, vesh Spanx në mënyrë që të arrij të mbaj çdo veshje dhe që ato të më përshtaten sa më mirë. Por unë djersij shumë, dhe ajo djersë nuk shkon gjëkundi. Pra, unë praktikisht “notoj” në djersën time. Doktori ma bëri të qartë se tashmë kam kaluar në një infeksion lëkure, që kërkon trajtim”, u shpreh ajo. Sëmundja në fjalë zakonisht prek shpesh atletët që djersijnë shumë.
Adele, e cila pak kohë më parë iu nënshtrua dhe një operacioni në kordat vokale, pohoi po ashtu se druhej mos kishte dëmtuar zërin gjatë një udhëtimi në Republikën Domenikane, ku këndoi pa pushim në karaoke për katër orë.