“LUFTËN E FITOVA UNË”/ Rrëfimi i 45-vjeçares të diagnostikuar me kancer gjiri – AlpeGossip
“LUFTËN E FITOVA UNË”/ Rrëfimi i 45-vjeçares të diagnostikuar me kancer gjiri

“LUFTËN E FITOVA UNË”/ Rrëfimi i 45-vjeçares të diagnostikuar me kancer gjiri

Një histori tjetër suksesi  dëshmohet nga rrëfimi personal i zonjës 45-vjeçare, e cila në pesë vitet e fundit të jetës ka luftuar çdo ditë me kancerin e gjirit dhe IA DOLI MBANË! Një grua që jep shembullin e forcës, që na tregon se si pas gjithë dyshimeve, frikës dhe pasigurive nuk u tërhoq, nuk e la sëmundjen ta mposhtte, por së bashku me mjekët, e përballoi dhe e kapërceu këtë vështirësi të jetës me të cilën u përball sapo kishte mbushur 40 vjeç. Ajo ndihet fatlume sot, plot me gjallëri e dëshirë për të kapërcyer çdo sfidë të jetës.

Historia juaj është një histori suksesi për ju. Si ndiheni tani, pas pesë viteve që keni mposhtur sëmundjen e kancerit?

Unë do të jetoj! A ka lumturi më të madhe? Do të kem mundësi të kujdesem për familjen time, për djalin tim. Do të vazhdoj të bëj punën që dua. Do të kaloj kohë me miqtë. Do të përballem me problemet e përditshme, do t’i kapërcej ato. Do të zgjohem çdo mëngjes dhe do të kem mundësi t’i jetoj sa më gjatë të gjitha këto copëza që së bashku quhen JETË!

Cilat ishin simptomat e para?
Nuk kisha asnjë simptomë të dukshme apo shqetësim patologjik. Unë isha e shëndetshme,
punoja shumë, ushqehesha mirë, deri kur një ditë duke bërë dush, ndjeva një masë të fortë në gjirin e djathtë që nuk kishte qenë më parë. Nuk di t’i përshkruaj ndjesitë dhe mendimet që më pushtuan atë moment, por kuptova se jo çdo gjë shkonte mirë me shëndetin tim, ashtu si mendoja.

A kishit kryer më parë kontrolle si ECHO, mamografi, apo vizita te specialisti?
Unë sapo kisha mbushur 40 vjeçe. E frymëzuar nga fushatat për ndërgjegjësimin në luftën kundër kancerit të gjirit, bëra një mamografi, nga e cila nuk doli asnjë shenjë. Më rekomanduan të bëja ultrasound, që në fakt, e neglizhova deri kur pas dy muajsh, ndjeva gjëndrën në gjirin e djathtë dhe po atë ditë u drejtova te mjeku onkolog.

Ngurruat të shkonit te mjeku specialist? Kur vendosët të drejtoheshit ne Spital?
Nuk ngurrova aspak. Kam treguar gjithmonë kujdes ndaj shëndetit, parandalimit të sëmundjeve. Kam ditur gjithmonë të kujdesem për veten dhe personat e tjerë në familje. Shkova menjëherë te mjeku onkolog në një klinikë private. Sipas tij, nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. U qetësova për momentin, por pa kaluar java, mendja filloi të më punonte sërish për keq. Kështu vendosa të shkoj në një klinikë tjetër dhe të konsultohesha me një mjek tjetër për të marrë një mendim të dytë. Në ekografi, mjeku vuri re një njollë me konture të çrregullta dhe më tha: “Kjo nuk më pëlqen, duhet ekzaminuar se çfarë është.” Vendosa të ndiqja protokollet sipas këshillës së mjekut, ekzaminim citologjik me ndërhyrje me gjilpërë, biopsi të jashtme, analiza gjaku, analizë të markerave tumorale e të tjera.

 

Sa të vështirë e patët kur morët përgjigjen dhe mësuat diagnozën? Si e përjetuat atë çast?
U trondita sa më s’ka, frika zuri vend në stomakun tim. Isha mësuar t’i kontrolloja gjithmonë veten dhe të tjerët, ndërkohë që tani, bota po më shembej para syve. Ndihesha keq që fati im
do të ishte në duart e të tjerëve: të mjekëve, familjarëve që më rrinin pranë apo edhe të miqve që përpiqeshin të ma lehtësonin dhembjen. Vera, kolegia ime e zyrës, e kujton gjithmonë ditën kur mora përgjigjen e biopsisë së dytë. Ajo thotë: “Nuk kam parë njeri të zverdhet në atë mënyrë për disa minuta dhe pastaj të ngrihet rrufeshëm duke thënë se nuk ka vdekur ende!”

Si mund të na e përshkruani ndjekjen dhe hapat e parë drejt kurimit ?
U ndoqën të gjitha hapat me radhë, që nga procedura e operimit për heqjen e tumorit, rikuperimi pas operacionit, përcaktimi i llojit të tumorit dhe klasifikimi, përcaktimi i kimioterapisë që do të ndiqja e deri te kontrollet e planifikuara ose jo gjatë këtyre pesë viteve. Gjithçka ka qenë e përsosur: trajtimi në spital, komunikimi me personelin mjekësor, shërbimi dhe këshillat e duhura. Këto më bënë më të fortë, më kthyen besimin në vetvete duke më larguar të gjitha pasiguritë që më torturonin.

Sa dhe si ka ndikuar kjo periudhë e vështirë në jetën tuaj në vazhdimësi?
Ndikimet janë ende të dukshme; ndryshova disi në pamje, shtova në peshë, djersija shpesh.
Për këto arsye, isha më e tërhequr. Megjithatë kam mësuar ta kontrolloj frikën. Kur i mbijeton kësaj sëmundjeje, lufton dhe fiton ndaj saj, njeh kufijtë e tu dhe kupton se sa e rëndësishme është çdo ditë, sa rëndësi ka të japësh më të mirën tënde në familje, në punë.

Ju luftuat plot pesë vjet dhe ia dolët mbanë me sukses. Çfarë këshille u jepni të gjitha grave të kësaj grupmoshe? Çfarë duhet të kenë parasysh për kujdesin ndaj shëndetit?

Gjithçka që kam kaluar më ka bërë shumë të ndjeshme ndaj shëndetit dhe gjendjes emocionale të grave. Jo vetëm me mikeshat e mia, por edhe në rrjete sociale, e përsëris që secila ta jetojë jetën e ta mbushë me shumë dashuri. U them të jenë aktive në shoqëri, të kryejnë aktivitete sportive, të ushqehen shëndetshëm, të jenë në paqe me veten dhe pozitive me të tjerët. Tani jam e bindur se kontrollet rutinë, sidomos për gratë me risk të lartë, jo vetëm që shpëtojnë jetë nga diagnostikimi i sëmundjes në fazë të hershme, por kanë më pak kosto fizike, emocionale dhe financiare.

Cili është mesazhi juaj për gratë që janë diagnostikuar me kancer dhe janë duke u trajtuar klinikisht për këtë sëmundje?

Çdo grua që vuan nga kanceri i gjirit është unike. Nuk është kanceri që përcakton se kush
jemi ne, le ta konsiderojmë si një vështirësi të jetës dhe ta kapërcejmë atë!