MASAT/ Sa ndikon dielli në shfaqjen e melanomës? – AlpeGossip
MASAT/ Sa ndikon dielli në shfaqjen e melanomës?

MASAT/ Sa ndikon dielli në shfaqjen e melanomës?

Melanoma është kanceri më serioz dhe më malinj i lëkurës dhe përmes limfës dhe gjakut përhapet shumë shpejt në pjesët e tjera të trupit.

Por sa ndikon stina e verës në shfaqjen e kancerit të lëkurës?

Dermatologia Elena Dinkollari tha se vera ndikon në kancerin e lëkurës pasi rrezatimi është më i lartë se zakonisht dhe mbrojtja duhet patjetër të jetë më e madhe.

“Duhet të jemi shumë vigjilent në këtë stinë sepse dëmtimet mund të jenë të mëdha dhe ndonjëherë dhe të pa rikthyeshme. Kjo sepse rrezatimi është kancerogjen dhe sa më shumë të ekspozuar të jemi aq më tepër kemi predispozitë për melanomë,” shpjegon dermatologia.

Sipas Dinkollarit duhet të përdorim vazhdimisht krepim mbrojtës nga dielli me 50% mbrojtje dhe të jetë dhe duhet të jetë bimor me filtra fizik dhe jo kimik i cili e mbron lëkurën deri në 98% nga rrezatimi.

Disa masa të tjera mbrojtëse të këshilluara nga dermatologia janë:

-Kapele

-Syze dielli

-Duhet të shmangim në mënyrë kategorike ekspozimin në diell në oraret kur rrezatimi është në maksimum 11:00-17:00. Preferoni ekspozimin në mëngjes pasi në atë periudhë UVB (rrezet “përgjegjëse” për djegien e lëkurës) janë shumë më pak se në oraret e pikut.

-Hidratohuni shumë mirë duke konsumuar lëngje, ujë dhe hidratoni sidomos lëkurën.

-Përdorni vaj plazhi që lejon nxirjen e lëkurës por që duhet të ketë me patjetër një spf 15 për të mbrojtur lëkurën nga djegia.

-Duhet të keni xhel të pastër Aloe Vera për çdo djegie të mundshme të lëkurës. Është e vetmja që ju ndihmon në këto raste.

Dinkollari shpjegon se dëmtimi i lëkurës nga rrezatimi çon në djegie të shkalleve të ndryshme të lëkurës, deri në melanomë.

“Ajo mund të zhvillohet në cilëndo pjesë të lëkurës, ndërsa në 30-50% të rasteve zhvillohet nga nishanet ekzistuese. Dëmtimi i materialit gjenetik që mund të ndodhë gjatë djegieve nga dielli është një proces i pakthyeshëm. Si pasojë, këto dëmtime të akumuluara kanë tendencë të shndërrohen në kancer të lëkurës vie më vonë,” shpjegon ekspertja.
Kanceri i lëkurës kategorizohet në kancer i lëkurës melanomë dhe kancer i lëkurës jo-melanomë. Aktualisht vlerësohet që në rang botëror të jenë rreth 2-3 milion raste të diagnostikuar me kancer lëkure jo-melanomë dhe 132,000 raste me kancer lëkure melanomë. Incidenca globale e melanomës vazhdon të rritet. Rreziku i prekjes nga melanoma, pra kanceri me karakter malinj vlerësohet të jetë 1 në 52 te meshkujt dhe 1 në 54 te femrat.

Cilët janë më të rrezikuar për t’u prekur nga kanceri i lëkurës?

Të dhënat shkencore për kancerin e lëkurës tregojnë se personat që kanë mungesë pigmenti në lëkurë, bën që kjo pjesë e popullsisë të jetë edhe më e rrezikuara për t’u prekur nga kanceri i lëkurës (jo-Melanomë apo Melanomë) krahasuar me pjesën e popullsisë që kanë lëkurë të errët.

Natyrisht që personat me lëkurë të errët mund të tolerojnë në mënyrë të sigurt ekspozimin në nivele relativisht të larta ndaj rrezeve të diellit, pra, pa u djegur dhe pa rritur domosdoshmërish shanset e prekjes nga kanceri i lëkurës.

Ndërkohë që, personat me lëkurë të bardhë apo me quka, i përkasin kategorisë me faktorë rreziku të lartë.