“MBI GJITHÇKA”/ West Side Family organizon koncert homazh për Dr. Florin – AlpeGossip
“MBI GJITHÇKA”/ West Side Family organizon koncert homazh për Dr. Florin

“MBI GJITHÇKA”/ West Side Family organizon koncert homazh për Dr. Florin

Një poster bardhë e zi, ku bie në sy përemri AI në qendër shoqëruar me titujt e këngëve të grupit dhe ato të Dr.Florit, na prezantoi me koncertin që djemtë e West Side Family do të mbajnë në nder të kujtimit të tij.

“Ai ishte i vërtetë. Ai ishte i drejtpërdrejtë. Ai ishte talent. Ai ishte pasionant. Për këto e shumë të tjera, ai ende mungon dhe do të mungojë gjithmonë. Kam parë dhe po shoh, kam dëgjuar dhe po dëgjoj dhe nuk dua të rrekem të shkruaj bukur, por për mua ai është dhe do mbetet i pazëvendësueshëm,” shkroi Landi Fornia në Instagram.

Armir Shahini, sërish në Instagram, shkroi: “AI ishte gjithmonë aty për Ne! AI është i pazëvendësueshëm! AI ishte, është dhe do të jetë gjithmonë AI!”

Burime për Anabel.al zbulojnë se koncerti i organizuar në Pallatin e Kongreseve më 5 mars, do të organizohet në formën e një shfaqjeje në nder të kontributit që Dr. Flori pati në muzikën shqiptare. Po të njëjtat burime zbulojnë se përveç djemve të West Side Family, do të ketë edhe shumë të ftuar. Pritet që Pallati i Kongreseve të riorganizohet për të përcjellë “rebelimin e Florit”.

Koncerti mban emrin “Mbi gjithçka” që përkon edhe me një nga këngët e tyre më të famshme. Në 2008-n, WSF mori pjesë pikërisht me “Mbi gjithçka (Nëse mundesh)” në “Kënga Magjike”, festivalin që i dha famë, ku rrëmbyen “Çmimin e publikut”. Pas ndarjes nga grupi, Flori qëndroi më aktiv në muzikë, në ndryshim nga djemtë e tjerë. Ai nisi karrierën solo si këngëtar, por edhe si producent për disa artistë të njohur.

Pas humbjes tragjike të Dr. Florit në 17 nëntor të vitit 2014, shumë menduan se WSF do të shpërbëhej. Megjithatë, pavarësisht pauzës në muzikë për disa vite, ata u rikthyen me disa këngë të suksesshme. Së fundmi, morën pjesë në “Këngën Magjike” në bashkëpunim me Alban Kondin, vëllain e Dr. Florit.

“Nuk e kisha fare në mendje. Së bashku me Elgit Dodën, po punonim për disa artistë që do të marrin pjesë në festival si Xheisara apo Olsi Bylyku dhe ishim përqëndruar tek ta. Ndërkohë Landi dhe Miri po mendonin të merrnin pjesë dhe ndërsa unë me Elgitin po punonim për këngën e tyre “7 ditë” , aty për aty u vendos dhe pjesëmarrja ime.”- tregoi Albani për Anabel.al në nëntor të 2019-s.

Megjithatë, pavarësisht bashkëpunimeve, Dr. Florin në West Side Family nuk e zëvendësoi askush, sepse për ta, “ishin ende tre”.

“3 vite shumë të vështira që pas 17 nëntorit. Shumë (mua përfshirë) menduan se ky është një knockout për #WestSideFamily. Ashtu dukej dhe ndihej në fakt. 3 projekte shumë të mira erdhën pas dramës dhe sërish ishin 3 që filluan dhe po vazhdojnë. 3 duhet të jetë një numër i suksesshëm. 3 pika për retiçencë.” – shkroi Landi në Instagram në shtator të 2018-s.