Motra e Kozeta Kurtit zbulon “veset” e gazetares: Asaj i mërziten shumë shpejt… – AlpeGossip
Motra e Kozeta Kurtit zbulon “veset” e gazetares: Asaj i mërziten shumë shpejt…

Motra e Kozeta Kurtit zbulon “veset” e gazetares: Asaj i mërziten shumë shpejt…

Energjike, dinamike, e shpejtë sa vështirë t’ia kapësh ritmin, Kozeta Kurti është gjithmonë një hap para të gjithëve në ekran. Gazetarja dhe moderatorja e njohur, prej vitesh tashmë pjesë e medias dhe ekranit, nuk njeh doreza sa herë është fjala për mendimin e lirë, sa herë duhet të thotë fjalën e gazetarit, por gjithashtu edhe kur i duhet të mbajë një qëndrim kritik ndaj një kauze të caktuar.

Por sot, nuk ishte rasti të bënte asnjërën prej këtyre. Ishte e ftuar ndryshe në “Pasdite në Top Channel”, së bashku me motrën e saj, Erionën, me të cilën ka një marrëdhënie speciale unike.

Të dyja bashkë janë shumë të lidhura. Natyrisht, ia njohin çdo sekret njëra-tjetrës dhe dinë pikat e dobëta. E dinë rastin kur motra nervozohet, çfarë e nervozon dhe si mund t’ia sjellin humorin.

Nga studio e Top Channel, Kozeta dhe Eriona rrëfyen rastet kur të dyja ndajnë gjithçka me njëra-tjetrën, por edhe rastet kur Kozeta, me ‘xhelozinë’ e saj të sëmurë, dëshiron të ketë gjithmonë gjërat e Erionës, edhe kur ato mund të jenë identike me të sajat.

“Kozetës i mërziten shpejt gjërat. I ka shumë qejf parfumet, por pasi ai bie në një nivel të caktuar, ajo nuk e pëlqen më”, – thotë e motra me të qeshur duke zbuluar ‘veset’ e gazetares.

Por nuk është kjo më e keqja që ka. Eriona është e martuar dhe prej tre vjetësh nuk jeton më me Kozetën. Por bashkëshorti i saj, para se të ishte i tillë, ishte shok me Kozetën. Për këtë (edhe duke kërkuar ndjesë), gazetarja rrëfen se qysh në fillim e kishte nuhatur që në shoqërinë e saj, dikush pëlqente Erionën: “Unë e kam njohur shumë kohë më parë Irsidin, kur nuk kishte asnjë të dhënë të ishte kunati im. Ishim një grup i madh shoqëror në Dhërmi dhe, edhe pse e kisha shok, e nuhata që diçka po ndodhte… Pastaj, e pyes vetë Erionën, e cila ishte bërë flakë e kuqe dhe e kuptova”, – tregon gazetarja.

Edhe pse mjeku stomatolog, pas disa kohësh u bë pjesë e familjes së tyre, Kozeta nuk e ka parë kurrë si kunatin e saj: “Unë nuk kam thënë kurrë deri më sot ‘po shkoj të takoj burrin e motrës, ika se kam takim me burrin e motrës’, sepse praktikisht me të sillem si me çdo shok tjetër, prandaj dhe kam rënë dakord shpejt”, – thotë Kozeta me të qeshur.

Eriona e miraton këtë fakt, madje motrat kujtojnë edhe netët kur Eriona nuk ka durim të rrijë deri vonë t’i shoqërojë bisedat e tyre dhe Kozeta me Irsidin vijojnë diskutimet e gjata: “Unë po iki, vazhdoni ju”, – u thotë shpesh atyre Eriona… Ajo nuk e duron dot gjatë tymin e cigares, por edhe u jep më shumë liri miqve të ndajnë kohë dhe biseda të gjata.

Kjo ndodh shpesh në miqësi të forta, fatthëna për të qenë të tilla gjithë jetën.