Tayna ka përmbyllur zyrtarisht turneun e saj veror, “Genesis Summer Tour”, pas një sezoni të ngarkuar me koncerte brenda dhe jashtë vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtarja ka bërë të ditur se pas tetë vitesh aktivitet të pandërprerë në skenë dhe në mbrëmje muzikore, ka ardhur momenti për të marrë një pauzë nga performancat e shpeshta në diskoteka.
Duke reflektuar mbi muajt e fundit, Tayna e përshkroi këtë verë si të lodhshme dhe kaotike, por njëkohësisht edhe të mbushur me momente të bukura dhe takime me fansat.
“8 vjet aktive, 8 vjet tu u pa me ju n’diskoteka… mendoj që e meritoj një pushim prej tyne. Kjo verë ka qenë e lodhshme, kaotike, por shumë e bukur. Kam takuar kaq shumë prej jush, kam kënduar me ju, kam qeshur, kam bërë foto e kam marrë dashuri në çdo vend ku kam shkuar,” ka shkruar artistja.
Një rol të rëndësishëm në këtë sezon ka pasur edhe albumi i saj “Genesis”, i publikuar në maj me 13 këngë. Projekti i ri u prit me entuziazëm nga dëgjuesit, ndërsa këngët e albumit u shoqëruan nga publiku gjatë performancave të saj.
Tayna ka treguar se një prej momenteve më emocionuese për të ka qenë pikërisht fakti që fansat i kanë mësuar këngët e reja kaq shpejt.
“Një prej emocioneve më të mira ka qenë me pa sa shpejt i keni mësuar këngët, sidomos të ‘GENESIS’. Me nxjerrë një album prej shpirtit tim e pastaj me ardhur në klub e me ju dëgjuar juve duke i ditur fjalët më mirë se unë ndonjëherë… është një ndjenjë që nuk di si ta shpjegoj.”
Në fund të mesazhit, këngëtarja falënderoi të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë këtij sezoni.
“Faleminderit secilit që ka ardhur këtë verë, që ka kënduar, bërtitur, kërcyer e ka bërë çdo natë me pas një kujtim të vetin.”
Megjithatë, duket se kjo nuk është një lamtumirë nga skena, por vetëm një pauzë. Me humor, Tayna paralajmëroi se do të rikthehet në një kapitull të ri të karrierës së saj:
“Tani po ju lë pak rehat prej meje… edhe diskotekat pak rehat prej meje. Shihemi në kapitullin tjetër.”













